Delegacioni turk dhe ai rus bisedojnë në Moskë për Idlibin

Delegacioni turk dhe ai rus u takuan të hënën në kryeqytetin Moskë të Federatës Ruse për të marrë në shqyrtim situatën në Zonën e Çtensionimit në Idlib të Sirisë.

1361129
Delegacioni turk dhe ai rus bisedojnë në Moskë për Idlibin

Në takimin e mbajtur pa praninë e gazetarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, delegacioni turk kryesohet nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, ambasadori Sedat Onal.

Krahas diplomatëve, në përbërje të delegacioneve ka gjithashtu autoritete ushtarake dhe zyrtarë të inteligjencës nga të dyja vendet.

Bisedimet ndërmjet Turqisë dhe Rusisë filluan javët e kaluara, pasi forcat e regjimit sulmuan pikat e vrojtimit të ushtarëve turq në Idlib dhe shkelën Memorandumin e Soçit në mënyrë të përsëritur.

Fillimisht erdhi për bisedime në Ankara një delegacion rus me përfaqësues ushtarakë dhe të inteligjencës, nën drejtimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme – Sergey Vershinin dhe përfaqësuesit special të Presidentit Vladimir Putin për Sirinë – Alexander Lavrentiev.

Gjatë këtyre bisedimeve, delegacioni turk potencoi se Memorandumi i Soçit ishte shkelur në mënyrë flagrante dhe se Federata Ruse duhet të përmbushë përgjegjësitë që i takojnë.

Sidoqoftë këto bisedime nuk prodhuan ndonjë rezultat konkret.

Më pas Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, realizuan një bisedë telefonike me fokus zhvillimet e fundit rajonale në përgjithësi dhe ato në Idlib në veçanti.

Në një deklaratë të mëhershme, Presidenti Erdogan vuri në pah se zgjidhja në Idlib është ndalimi i agresionit të regjimit sa më parë të jetë e mundur dhe tërheqja e tij në kufijtë e përcaktuar me marrëveshjet e arritura më parë duke paralajmëruar se në të kundërt Turqia do ta bënte vetë këtë gjë brenda muajit shkurt.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, pas takimit të tij në fundjavë me homologun rus, Sergey Lavrov, bëri me dije se Ankaraja dhe Moska po vazhdojnë bisedimet për të gjetur rrugën e zbatimit të çdo marrëveshjeje të arritur mes tyre për çështjen e Sirisë.



Lajme të ngjashme