Turqia uron presidentin e Azerbajxhanit dhe partinë e tij për suksesin në zgjedhjet parlamentare

Turqia përgëzoi Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, njëherësh kryetar i Partisë së Azerbajxhanit të Ri (YAP), për suksesin në zgjedhjet parlamentare të mbajtura ditën e diel në vend.

1356191
Turqia uron presidentin e Azerbajxhanit dhe partinë e tij për suksesin në zgjedhjet parlamentare

“Urojmë që zgjedhjet për Kuvendin Kombëtar të jenë në dobi të Azerbajxhanit vëllazëror”, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë në një njoftim për shtyp.

“Ne e urojmë Presidentin Ilham Aliyev dhe Partinë e Azerbajxhanit të Ri (YAP) të udhëhequr prej tij për suksesin që ata kanë arritur në zgjedhje. Jemi të lumtur që zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë paqësore anembanë vendit. Ne besojmë se përpjekjet e autoriteteve azerbajxhanase që nga fillimi për të siguruar që zgjedhjet të mbaheshin në përputhje me parimet demokratike dhe standardet e transparencës, si dhe pjekuria e shfaqur nga populli i Azerbajxhanit gjatë procesit zgjedhor, meritojnë të çmohen”, shtoi MPJ turke.

Në këtë shtet me gati 5 milionë e 387 mijë votues të regjistruar, ku për 125 mandate deputeti garuan gjithsej 1 mijë e 314 kandidatë, 299 prej të cilëve gra, zgjedhjet u monitoruan nga rreth 77 mijë e 700 vëzhgues lokalë dhe 880 ndërkombëtarë.

Më datë 5 dhjetor 2019, Presidenti Ilham Aliyev pati njoftuar shpërndarjen e Kuvendit Kombëtar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas rezultateve paraprake jozyrtare të këtyre zgjedhjeve, numrin më të madh të deputetëve arriti ta sigurojë Partia e Azerbajxhani të Ri në pushtet.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Azerbajxhanit, Mezahir Penahov, njoftoi përmes një konference shtypi se kandidatët që kanë fituar më shumë vota janë përcaktuar në 118 prej gjithsej 125 zonave zgjedhore të vendit, ndërsa në 7 zonat e tjera zgjedhore numërimi nuk ka përfunduar ende.

Në bazë të rezultateve paraprake jozyrtare të shpallura nga Penahovi në lidhje me 118 zonat zgjedhore në fjalë, Partia e Azerbajxhanit të Ri e Presidentit Ilham Aliyev ka fituar 65 mandate deputeti në Kuvendin Kombëtar.

Kreu i KQZ-së azerbajxhanase, gjithnjë sipas rezultateve paraprake jozyrtare, bëri me dije po ashtu se kandidatët e pavarur kanë nxjerrë 43 deputetë, Partia e Solidaritetit Qytetar 3 deputetë, kurse Partia për Reforma Demokratike, Partia e Themelimit të Madh, Partia e Frontit Popullor të Azerbajxhanit të Bashkuar, Partia e Mëmëdheut, Partia e Bashkimit, Partia e Bashkimit Qytetar dhe Partia e Ndriçimit Demokratik të Azerbajxhanit nga një deputet secila.



Lajme të ngjashme