Erdogan vlerëson Sirinë, Libinë, çështjen palestineze e marrëdhëniet Turqi-NATO për revistën “Stav”

Gjatë një interviste me korrespondentin e revistës boshnjake “Stav”, kreu i shtetit turk bëri vlerësime të rëndësishme në lidhje me zhvillimet më të rëndësishme në rendin e ditës.

1349783
Erdogan vlerëson Sirinë, Libinë, çështjen palestineze e marrëdhëniet Turqi-NATO për revistën “Stav”

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se 250 mijë persona të tjerë kanë ardhur në kufirin e Turqisë pas përshkallëzimit të sulmeve në qytetin Idlib të Sirisë.

“Nëse këto masakra vazhdojnë, edhe numri do të rritet. Por tani është e pamundur që Turqia të përballojë vetëm një valë të re emigracioni të parregullt”, theksoi Erdogani gjatë një interviste me korrespondentin e revistës boshnjake “Stav”, për të cilën bëri vlerësime të rëndësishme në lidhje me rendin e ditës.

Sipas tij, Turqia është vendi që pret më shumë refugjatë dhe ai “më bujari” në botë në raport me të ardhurat kombëtare.

“Duke qenë kështu, vendet evropiane që kanë shumë herë më tepër mundësi sesa neve, fatkeqësisht, kanë dështuar përballë sprovës siriane. Premtimet e bëra vendit tonë nuk u mbajtën”, sqaroi ai.

I pyetur “përse u kundërshtuan operacionet ushtarake të Turqisë në procesin e formimit të një korridori të sigurt në Siri; nëse dikush kërkon vazhdimin e luftës në Siri dhe në kufirin e Turqisë; si dhe cilat janë interesat e vendeve të tjera?”, kreu i shtetit turk u përgjigj me këto fjalë: “Disa vende e shohin çështjen siriane vetëm nga aspekti i interesave, pushtetit dhe naftës. Ato kërkojnë të shndërrojnë në mundësi (përfitimi) një tragjedi humanitare kaq të madhe, në të cilën kanë humbur jetën 1 milion njerëz dhe 12 milionë sirianë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Dhe realisht këtë e deklaruan publikisht në raste të ndryshme. Ato e thanë haptazi që agjenda e tyre e vetme është të marrin kontrollin e burimeve të naftës. Këto synime qëndronin edhe pas korridorit terrorist që përpiqeshin të formonin përgjatë kufirit tonë jugor.”

Pasi vuri në pah se u kërkua asfiksimi i Turqisë nëpërmjet organizatës terroriste separatiste PKK/YPG, Erdogani precizoi se këto plane u prishën me 3 operacionet e suksesshme të Forcave të Armatosura Turke në 3 vitet e fundit.

Ai potencoi se një sipërfaqe prej 8.300 km2 u pastrua nga prania e organizatave terroriste DAESH dhe PKK/YPG duke u bërë një zonë e sigurt.

Mes të tjerash, Erdogani u pyet rreth opinionit të Turqisë në lidhje me çështjen palestineze, të cilën ai e cilësoi si një prej prioriteteve më të rëndësishme të politikës së jashtme të Ankarasë.

Presidenti turk tha se vendi i tij po bën përpjekje në çdo platformë për themelimin e një shteti palestinez të pavarur brenda kufijve të 1967-s dhe se gjatë presidencës së radhës në Organizatën e Bashkëpunimit Islam kanë shpalosur edhe ndjeshmërinë e tyre karshi sulmeve izraelite ndaj Jerusalemit, kibleja e parë e myslimanëve.

“Ne gjithashtu po bëjmë përpjekje për të lehtësuar barrën e vëllezërve tanë në Gazë, e cila është transformuar në burgun e hapur më të madh të botës nga administrata izraelite”, shtoi ai.

Kurse pyetjes “cila është arsyeja që disa vende shqetësohen kaq shumë nga marrëveshja ndërmjet Turqisë dhe Libisë”, Erdogani iu përgjigj me këto fjalë: “Sa i përket Libisë, bashkëbiseduesit tanë si Turqi janë Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) dhe Kryeministri i saj, z. Sarraj, të cilët njihen nga Kombet e Bashkuara. Libia, vend me të cilin ne kemi marrëdhënie rrënjësore mijëravjeçare, është njëherësh fqinja jonë në Mesdhe. Ne s’mund të qëndronim spektatorë teksa vendi ynë dhe turqit e Qipros po përjashtoheshin nga sondimi dhe menaxhimi i burimeve të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.”

Recep Tayyip Erdogani bëri sqarime po ashtu në lidhje me debatet mbi marrëdhëniet Turqi-NATO dhe blerjen e raketave ruse “S-400”.

“Fuqia, efikasiteti dhe rëndësia e vendit tonë në NATO janë të padiskutueshme. Nga ana tjetër, marrëdhëniet që Turqia zhvillon me vende dhe rajone të ndryshme, nuk janë alternativë e njëra-tjetrës, por plotësuese të tyre. Ne nuk i vlerësojmë si të drejta debatet që bëhen mbi çështjen «S-400», e cila hyn në të drejtat sovrane të vendit tonë. Në kuadër të aleancës së NATO-s, masat që ne kemi marrë për të përforcuar sigurinë tonë kombëtare, duhet të vlerësohen në kursin e tyre vetjak. Po të shohim deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, vërejmë që në këtë çështje ato mbështesin vendin tonë dhe tezat tona. Çështja «S-400» është një hap i bërë nga Turqia për të plotësuar nevojat e saj në fushën e sigurisë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me NATO dhe (avionët) «F35» në kuptimin negativ”, vlerësoi presidenti turk.



Lajme të ngjashme