Erdogani në takim me Putinin: Konferenca e Berlinit duhet të sigurojë armëpushimin në Libi

Përpara fillimit të Konferencës së Berlinit për Libinë, Presidenti Recep Tayyip Erdogan i ka thënë homologut të tij rus, Vladimir Putin, se ky samit duhet të sigurojë armëpushimin dhe dialogun politik për paqen në shtetin afrikanoverior.

Erdogani në takim me Putinin: Konferenca e Berlinit duhet të sigurojë armëpushimin në Libi

“Në Samitin e Berlinit duhet të sigurohet akordi për armëpushimin dhe kthimin në procesin politik, në mënyrë që Libia të arrijë paqen dhe qetësinë”, deklaroi kreu i shtetit turk gjatë pjesës së hapur të takimit me Putinin.

Erdogani theksoi gjithashtu se “veprimet agresive të Haftarit duhet të marrin fund për të zbatuar fazën e procesit politik dhe zgjidhjes”.

“Përpjekjet e përbashkëta për Libinë siguruan qetësi relative në terren, por iniciativat tona do të japin fryte me Konferencën e Berlinit”, shtoi ai.

Kurse Putini tha se Rusia dhe Turqia përbëjnë shembull në gjetjen e një emëruesi të përbashkët.

Lideri rus vlerësoi përpjekjet e të dyja vendeve për vendosjen e armëpushimit në Libi duke thënë se Moska dhe Ankaraja ndërmorën një hap pozitiv dhe u bënë thirrje palëve ndërluftuese për armëpushimin.

“Palët dëgjuan thirrjen. Aktivitetet luftarake janë zvogëluar në shkallë të gjerë”, u shpreh Putini.

Ai vlerësoi gjithashtu se takimi i së hënës në Moskë nuk mund të zgjidhte gjithçka, pasi njëra palë nuk iu bashkua marrëveshjes deri më tani, por, sipas tij, është e nevojshme të lëvizin përpara.



Lajme të ngjashme