Çavusoglu: E papranueshme bastisja e zyrës së AA-së në Egjipt, nuk është hera e parë

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të enjten se ndërhyrja e policisë egjiptiane në zyrën e Agjencisë Anadolli (AA) në Kajro është diçka e papranueshme.

1341962
Çavusoglu: E papranueshme bastisja e zyrës së AA-së në Egjipt, nuk është hera e parë

I ftuar në një transmetim të drejtpërdrejtë nga një kanal televiziv privat, Çavusoglu bëri vlerësime rreth bastisjes së zyrës së AA-së në Kajro dhe ndalimin e disa punonjësve të saj nga forcat e sigurisë egjiptiane.

Ai tha se po i ndjekin nga afër zhvillimet në lidhje me këtë ngjarje të padëshiruar, e cila kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e fjalës së lirë.

“Provokime, ngacmime dhe frikësime të tilla ka pasur edhe më parë. Shohim që këto shënjojnë veçanërisht njerëzit lokalë punonjës të AA-së. Por në fund të fundit s’ka rëndësi se kush janë; është e papranueshme që policia egjiptiane të kryejë një bastisje të këtillë ndaj AA-së. Ne e bëmë deklaratën tonë. U realizuan kontaktet e nevojshme qoftë pranë misionit të Egjiptit këtu (në Ankara), qoftë edhe nga Ambasada jonë në Kajro. Sipas informacioneve që ne disponojmë, nuk bëhet fjalë për keqtrajtime, por për kanosje. Egjiptianët filluan të shfaqin agresivitet sidomos pasi Presidenti ynë theksoi nevojën për hetim mbi vdekjen e Morsit. Ditët e fundit, pas distancës së përshkruar nga ne apo intensifikimit të përpjekjeve tona me Rusinë për armëpushimin (në Libi), vërejmë që Egjipti filloi të bëhet edhe pak më tepër agresiv”, u shpreh shefi i diplomacisë turke.

“Perëndimorëve, të cilët përpiqen të japin leksione për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit, nuk u dëgjohet zëri aspak kur kësisoj gjërash ndodhin në vendet që ata mund t’i përdorin. Po të kishte ndodhur në Turqi një diçka e tillë, atëherë e gjithë bota do të ishte ngritur në këmbë”, vlerësoi ministri Çavusoglu.



Lajme të ngjashme