Kalin: Bisedimet e paqes në Libi, rezultat i përpjekjeve të Turqisë

Në një intervistë me korrespondentin e “CNN International”, ku foli për zhvillimet në Libi, zëdhënësii Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, tha se strategjia e politikës së jashtme të Ankarasë solli ekuilibër në konfliktin libian.

1341089
Kalin: Bisedimet e paqes në Libi, rezultat i përpjekjeve të Turqisë

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, deklaroi të martën se strategjia e politikës së jashtme të Ankarasë solli ekuilibër në konfliktin libian përmes një armëpushimi, i cili u bë i mundur falë përpjekjeve të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

“Në të vërtetë janë përpjekjet tona diplomatike dhe mbështetja jonë për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) ato që kanë sjellë një shkallë ekuilibri në këtë konflikt, si rezultat i së cilave ne kemi armëpushimin”, tha Ibrahim Kalin gjatë një interviste me korrespondentin e “CNN International”, ku ai foli për zhvillimet në Libi.

I pyetur në lidhje me strategjinë e Turqisë në Libi, ku GNA-ja e njohur nga Kombet e Bashkuara po lufton kundër forcave të komandantit të vetëshpallur Khalifa Haftar, Kalin tha se Turqia kishte “marrëdhënie rrënjësore” me Libinë.

Duke iu referuar këtij vendi si një lojtar “kyç” rajonal, zëdhënësi presidencial turk tha se përshkallëzimet në Libi ndikojnë gjithashtu vendet fqinje dhe Evropën.

“Ajo që ndodh në Libi nuk qëndron atje. Ajo prek të gjitha vendet fqinje: Algjerinë, Tunizinë, Sudanin dhe të tjerët; madje edhe Mesdheun”, theksoi ai duke shtuar se Evropa gjithashtu është e shqetësuar për fluksin e emigrantëve dhe armëve.

Në vijim, zyrtari i lartë turk tërhoqi vëmendjen se konflikti në Libi është i ngjashëm me atë në Siri dhe vazhdon prej vitesh, prandaj është koha që komuniteti ndërkombëtar të bëjë hapa për të ndërmjetësuar paqen.

Kalin vuri në dukje se pala e udhëhequr nga Haftari, e cila shkel në mënyrë të përsëritur marrëveshjet, është ajo përgjegjëse e konfliktit dhe dhunës.

“Megjithatë Ankaraja nuk e përjashtoi atë nga loja”, tha ai duke shtuar se kjo është arsyeja e pranisë së Turqisë në bisedimet e armëpushimit në Moskë më 13 janar, pas thirrjes për armëpushim më 8 janar nga Presidenti Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.

“Ne po përpiqemi t’i japim fund këtij konflikti, ku janë të përfshirë kaq shumë fraksione të ndryshme, fise dhe natyrisht aktorë ndërkombëtarë, palë të interesuara e shumë të tjerë”, sqaroi zëdhënësi presidencial, ndërsa potencoi se situata në Libi është “e brishtë” dhe se Turqia është në kontakt me SHBA-në, Italinë dhe me aktorë të tjerë.

Kalin nënvizoi po ashtu se zyrtarët e lartë evropianë e mbështetën Turqinë për sa i takon armëpushimit në Libi; kurse disa vende, përfshi këtu edhe Egjiptin, siguruan armë për forcat e Haftarit teksa elementët mercenarë dhe milicia vinin nga Sudani, Nigeri, Çadi e disa vende të tjera.

“Ata janë ata që po e nxisin këtë konflikt. Dhe tani ata kthehen e na fajësojnë neve. Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të jetë i rëndësishëm në këtë konflikt, unë mendoj që ata (krerët e BE-së) duhet të vlerësojnë përpjekjet e Turqisë për t’i dhënë fund kësaj dhune”, vlerësoi zëdhënësi presidencial.

Duke rikujtuar edhe një tjetër herë se armëpushimi në Libi filloi pas thirrjes së përbashkët më 8 janar nga presidentët Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin, ai tha se megjithatë duhet punuar mbi detajet dhe se pala e Haftarit kërkoi kohë shtesë për të rishikuar kushtet speciale të armëpushimit.

Në fund, pasi përshëndeti përpjekjet pozitive të përfaqësuesit special të OKB-së për Libinë, Ghassan Salame, si dhe shprehu mbështetjen e Ankarasë për Procesin e Berlinit; Ibrahim Kalin saktësoi se përpjekjet e Turqisë për vendosjen e armëpushimit përpara samitit për Libinë, i cili do të mbahet më 19 janar në Berlin, do të ndihmojnë agjendën dhe kontribuojnë për t’i dhënë fund konfliktit.



Lajme të ngjashme