Çavusoglu: Vrasja e Soleimanit, një kërcënim serioz për paqen në rajon

Vrasja e gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm amerikan me në Bagdad paraqet "një rrezik serioz për paqen në rajon", tha të hënën ministri Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu.

1335190
Çavusoglu: Vrasja e Soleimanit, një kërcënim serioz për paqen në rajon

"Vrasja e gjeneralit Kasim Sulejmanit (Qasem Soleimani) komandantit të forcave “Quds” në sulmin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) përbën një rrezik serioz për paqen në rajon," u tha Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) përfaqësuesve të mediave në një mbledhje për vlerësimin e politikës së jashtme në vitin 2019, mbajtur në Drejtorinë për Punët e BE-së në kryeqytetin e vendit, Ankara.

"Në ditët në vijim ne do të vazhdojmë sërish të punojmë me vendet e tjera për të zgjidhur problemin ose për të ulur tensionet midis ShBA-së dhe Iranit," shtoi kryediplomati turk.

“Ne jemi në kontakt të afërt me të gjitha palët e interesuara,- vijoi ministri Çavushollu duke shtuar se Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka biseduar në telefon për çështjen në fjalë me Presidentin e Francës Emmanuel Macron, Presidentin e Iranit Hasan Ruhani, Presidentin e Irakut Berhem Salih dhe Emirin e Katarit Sheikun Tamim bin Hamed Al-Thani, dhe në ditët në vijim do të zhvillojë biseda telefonike edhe me Kryeministrin e Anglisë Boris Johnson dhe Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel.

Çavushollu u tha gazetarëve se ai vet kishte pasur biseda telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit Xhevad Zarif, ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov, Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo, ministrin e Punëve të Jashtme të Anglisë Dominic Raab, ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit Sheikun Muhammed bin Abdurrahman Al-Thani, ministrin e Punëve të Jashtme të Pakistanit Shah Mahmud Kureyshi dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.

Turqia gjithmonë ka marrë përsipër rolin e lidershipit në të gjithë hapat e hedhur për paqen, nënvizoi Çavushollu dhe shtoi:

“Edhe në ditët në vijim ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona bashkë me vendet e tjera për zgjidhjen e këtij problemi ose për uljen e tensionit. Siç jeni në dijeni të mërkurën [Kryetari i Shtetit të Rusisë] Vladimir Putin vjen në Stamboll. Presidenti ynë [Erdogan] do ti bisedojë posaçërisht vet këto çështje me Putinin. Shqetësimi i përbashkët i gjithëve këtu është që Iraku të mos kthehet në një zonë konflikti për vendet e tjera. Ky është një rrezik serioz për Irakun dhe rajonin tonë. Ne vazhdojmë të jemi në kontakt edhe me Irakun. Si rrjedhojë ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që na takon për reduktimin e kësaj spiraleje të dhunës”.

Sulejmani, kreu i forcës elitare “Quds” të Gardës Revolucionare të Iranit, u vra së bashku me Abu Mahdi al-Muhandis, komandantin e lartë të forcave Hashd al-Shaabi të Irakut dhe tetë të tjerë më 3 janar afër aeroportit të Bagdadit.

 


Lajme të ngjashme