Erdogan: Të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensionit SHBA-Iran përmes Irakut

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u shpreh i shqetësuar rreth përshkallëzimit përmes Irakut të tensionit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

1335064
Erdogan: Të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensionit SHBA-Iran përmes Irakut

Kreu i shtetit turk vlerësoi rendin e ditës të dielën për një kanal televiziv privat.

Ai tha se rreziqet që krijoi vrasja e gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimani, me një operacion ajror amerikan “domethënës në Irak”, janë shqetësuese si për sigurinë e Irakut ashtu edhe të gjithë rajonit.

Duke theksuar se Turqia po bën nisma për reduktimin e tensionit, Erdogani bëri me dije se në kontaktet e tij me liderët, sidomos me ata iranianë dhe irakianë, u këshillon atyre vazhdimisht të ruajnë gjakftohtësinë dhe jenë të matur.

Erdogani vuri në pah se Turqia i kundërshton përherë ndërhyrjet e jashtme dhe se nga kjo dritare e shohin edhe vrasjen e Soleimanit.

Lideri turk rikujtoi se natën përpara operacionit që vrau gjeneralin iranian, ai kishte biseduar në telefon me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“E këshillova që të mos përshkallëzojë tensionin me Iranin. Pas 4-5 orësh ndodhi kjo që ndodhi”, shtoi ai.

Ky tension – vijoi ai – duhet të vihet nën kontroll përpara se të arrijë në një pikë nga e cila do të dëmtohen të gjitha palët.

Presidenti Erdogan nënvizoi se të gjitha zhvillimet rajonale e dypalëshe do t'i vlerësojë edhe me Kryetarin e Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, i cili do të vizitojë Turqinë më datë 8 janar.

“Të vrasësh një komandant të nivelit më të lartë të një vendi, një shteti, mendoj se gjithsesi nuk lihet pa kundërpërgjigje”, paralajmëroi ai mes të tjerash.

I pyetur rreth mocionit për dërgimin e një kontingjenti ushtarak në Libi, miratuar të enjten nga Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë, Erdogani sqaroi se trupat turke do të shkojnë në këtë vend gradualisht, hap pas hapi, në bazë të marrëveshjes së arritur me Libinë.



Lajme të ngjashme