Merkel: Turqia duhet të mbetet anëtare e NATO-s

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, theksoi të mërkurën rëndësinë gjeostrategjike të Turqisë për NATO-n dhe bëri thirrje për unitet e koordinim më të madh ndërmjet aleatëve.

1313560
Merkel: Turqia duhet të mbetet anëtare e NATO-s

Duke iu drejtuar ligjvënësve në Bundestag gjatë një debati mbi buxhetin, Merkel hodhi poshtë thirrjet e disa deputetëve të opozitës për të përjashtuar Turqinë nga Aleanca për shkak të veprimit të saj të njëanshëm ushtarak kundër grupeve terroriste në verilindje të Sirisë.

“Turqia duhet të mbetet anëtare e NATO-s dhe ne gjithashtu duhet të punojmë për ta siguruar këtë. Anëtarësia e Turqisë është me rëndësi strategjike për Aleancës”, theksoi ajo duke shtuar se aleatët po diskutonin për dallimet e tyre në organet përkatëse të NATO-s.

Merkel rikujtoi se Evropa po ballafaqohet me shumë kërcënime terroriste.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk marrin më përgjegjësi kur zjarri është përreth nesh”, potencoi kancelarja gjermane.

Angela Merkel vuri në pah se bota ka një rend të ndryshëm shumëpolësh, me Kinën që po luan rol të rëndësishëm.

“Mbrojtja e NATO-s është në interesin tonë”, vlerësoi ajo duke nënvizuar se Evropa nuk është në gjendje të vetëmbrohet vetëm në rrethanat aktuale, prandaj ka nevojë për aleancën transatlantike.

“Ne duam të avancojmë projektet e armëve që kemi filluar me Francën”, tha Merkel mes të tjerash.

Vërejtjet e shefes së Berlinit zyrtar erdhën përpara Samitit të Liderëve të NATO-s në Londër, planifikuar më 3-4 dhjetor.

Turqia filloi më 9 tetor Operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të sigurojë kufijtë e saj, të ndihmojë në kthimin e sigurt dhe vullnetar të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Disa anëtarë të NATO-s, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën dhe Gjermaninë, kritikuan operacionin ushtarak turk në verilindje të Sirisë duke shprehur shqetësime për një krizë të mundshme humanitare dhe paqëndrueshmëri më të gjerë në rajon.

Gjatë fushatës së saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e cilësuar si organizatë terroriste nga Ankaraja, Uashingtoni dhe Brukseli, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshi këtu shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Nga ana tjetër, Merkel tërhoqi vëmendjen se lufta civile në Siri është transformuar tashmë në një luftë me prokurë dhe se duhet të sigurohet zgjidhja politike.

Ajo ritheksoi se themelimin e Komitetit Kushtetues në Siri e vlerësojnë si një hap pozitiv.

“Gjermania do të ofrojë më shumë kontribut për Sirinë, por kjo nuk mund të bëhet pa biseduar me Rusinë dhe Turqinë”, sqaroi Merkel para deputetëve të pranishëm në Bundestag, të cilëve u përmendi gjithashtu një takim të sajin në të kaluarën me Presidentin e Turqisë – Recep Tayyip Erdogan, Presidentin e Francës – Emmanuel Macron dhe Presidentin e Rusisë – Vladimir Putin.

Në fund ajo nënvizoi domosdoshmërinë e vijimit të përpjekjeve për arritjen e zgjidhjes në Libi, në mënyrë që parandalohet edhe atje një luftë me prokurë sikurse ajo në Siri.



Lajme të ngjashme