"Erdogan do të japë mesazhe të rëndësishme në Samitin e NATO-s"

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (Ibrahim Kalın) tha se Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) do të japë mesazhe të rëndësishme në Samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Londër të Anglisë.

"Erdogan do të japë mesazhe të rëndësishme në Samitin e NATO-s"

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (Ibrahim Kalın) tha se Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) do të japë mesazhe të rëndësishme në Samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Londër të Anglisë.

 

Kallën bëri deklarime para gazetarëve turq në kryeqytetin gjerman, Belin në lidhje me Samitin e NATO-s, zhvillimet në Siri, marrëdhëniet [e Turqisë] me Bashkimin Evropian, çështjen e Qipros dhe përpjekjet ndërkombëtare për Libinë.

“Samiti i NATO-s është shumë i rëndësishëm. Presidenti ynë [Erdoan] do të japë mesazhe të rëndësishme në Londër. Në veçanti bëhet fjalë për teza të Turqisë mbi pozicionin, vizionin dhe përgjegjësitë e NATO-s në shekullin XXI",- shtoi ai.

Zhvillimet në Siri

 

Duke theksuar se çështjet që kanë të bëjnë me zonën e sigurt [në veri të Sirisë] dhe migracionin po ndiqen nga afër në Evropë, zëdhënësi Kallën tha:

"Pas pastrimit të kufirit tonë me Sirinë nga organizatat terroriste, veçanërisht pas Operacionit «Burimi i Paqes», ne pamë të vinin reagime nga disa vende perëndimore. Ne e kemi sqaruar dhe do të vazhdojmë t'u shpjegojmë bashkëbiseduesve tanë se këto [reagime] nuk kanë asnjë bazë të drejtë dhe se ne po luftojmë kundër elementeve terroristë dhe jo kundër civilëve, kurdëve ose pakicave fetare."

Kallën theksoi se Turqia i kushton shumë rëndësi mbarëvajtjes së procesit politik në Siri dhe se përpjekjet do të fitojnë më shumë rëndësi pas themelimit të Komitetit Kushtetues.

"Pas punës së Komitetit Kushtetues brenda kornizës së rezolutës numër 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara parashikohet mbajtja e zgjedhjeve me synimin për të përparuar procesin politik në Siri. Këtu ne vazhdojmë përpjekjet tona për të dhënë një kontribut si në procesin e Astanës, ashtu edhe në procesin e Gjenevës”,- tha zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kallën.

Nga ana tjetër,- theksoi ai,- ajo që shikojmë është se organizatat terroriste nuk po sillen mirë.

"Ne shohim që organizata terroriste YPG po provokon me zjarr edhe forcat tona, edhe civilët në Qamishli, Tal Abiad, Ras al-Ayn dhe në fshatra të tjera të zonës. Lufta jonë kundër tyre do të vazhdojë me vendosmëri",- nënvizoi ai.

Marrëdhëniet Turqi-BE

Referuar marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE) Kallën bëri këtë vlerësim:

"Ne nuk mund të pranojmë një alternative tjetër përveçse anëtarësimit me të drejta të plota. Partneriteti i privilegjuar ka qenë në rend të ditës dikur në të kaluarën, por ne nuk e pranuam atë. Marrëdhëniet e Turqisë me Evropën janë shumë të rëndësishme në aspektin ekonomik dhe të sigurisë”,- tha zëdhënësi i Presidencës.

Kallën tha se si vendet anëtare të NATO-s, ashtu edhe vendet e Bashkimit Evropian (BE) duhet të shfaqin një ndjeshmëri më të lartë ndaj shqetësimeve të Turqisë për sigurinë e saj kombëtare.

Turqit e Qipros

 

Zëdhënësi foli gjithashtu për qipriotët turq dhe theksoi se politika e Turqisë është për krijimin e një strukture ku të dy komunitetet do të kenë të drejta të barabarta, por pala greko-qipriote vazhdon qëndrimin e saj të papajtueshëm (intransigjent).

Konferenca e Libisë

Ndërkohë, Kallën u tha gazetarëve se ai kishte shkuar 3-4 herë në Berlin për fazën përgatitore të Konferencës së Libisë, e cila parashikohet të mbahet në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin.

"Ne jemi për një zgjidhje politike në Libi. Në veçanti, Hafteri duhet ti ndalojë menjëherë sulmet e tij që kanë vazhduar që nga prilli",- shtoi ai.

Marrëdhëniet me Gjermaninë

Kur gazetarët e pyetën për çështjet kryesore të agjendës së vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Turqi, në janar të vitit të ardhshëm, zëdhënësi Kallën u përgjigj:

 

"Gjermania është një vend i rëndësishëm për ne. Ne kemi shumë çështje që do të diskutojmë me Merkel, siç janë: marrëdhëniet bilaterale dhe tregtare, Bashkimi Evropian, problemi i migracionit, çështjet rajonale, Siria dhe NATO."



Lajme të ngjashme