Turqia reagon ndaj djegies së flamurit turkoqipriot në pjesën grekoqipriote dhe Kuranit në Norvegji

Zëdhënësi i partisë qeverisëse të Turqisë dënoi me forcë djegien e flamurit turkoqipriot gjatë protestave në palën grekoqipriote për përvjetorin e themelimit të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV).

Turqia reagon ndaj djegies së flamurit turkoqipriot në pjesën grekoqipriote dhe Kuranit në Norvegji

“Ne e dënojmë me forcë sulmin e shëmtuar kundër flamurit të RTQV-së”, tha Omer Çelik, zëdhënës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

Në një konferencë shtypi pas takimit të Këshillit Qendror Ekzekutiv të AK Partisë në Ankara, zhvilluar nën drejtimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Çelik u ndal veçanërisht mbi zhvillimet e fundit në Mesdheun Lindor.

“Ne kurrë nuk do të bëjmë kompromis për interesat kombëtare të Turqisë dhe të Republikës Turke të Qipros së Veriut në Mesdheun Lindor”, theksoi Çelik dhe shtoi se politikanët grekoqipriotë po ndjekin një retorikë që inkurajon autorët e këtyre akteve dhe provokimeve të shëmtuara.

Sipas tij, këto akte të shëmtuara nuk janë vepër e vetëm disa provokatorëve, por janë një aktivitet sistematik i ndikuar nga deklaratat nxitëse të politikanëve grekë dhe grekoqipriotë.

RTQV-ja u themelua më 15 nëntor 1983, pothuajse një dekadë pas Operacionit të Paqes në Qipros që Turqia ndërmori në vitin 1974, ndërhyrje kjo që i dha fund persekutimit dhe dhunës kundër turkoqipriotëve nga ultranacionalistët grekoqipriotë. Turqia mbetet një vend garantues për RTQV-në.

Si shtet garantues për Republikën Turke të Qipros së Veriut, Turqia po kryen aktualisht disa aktivitete të kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor me dy anije sondimi, “Fatih” dhe “Yavuz”, krahas anijeve sizmike “Oruc Reis” dhe “Barbaros Hayrettin Pasa” që vazhdojnë hulumtimet në të njëjtin rajon.

Turqia ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme aktivitetet e njëanshme të sondimit nga administrata grekoqipriote në Mesdheun Lindor duke pohuar se RTQV-ja gjithashtu ka të drejta mbi burimet në zonë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i AK Partisë dënoi fuqimisht edhe aktin e djegies së Kuranit në Norvegji të dielën.

“Ky akt i kryer nga një organizatë me ideologji islamofobe nuk ka në shënjestër vetëm myslimanët, por njëherësh të gjithë njerëzimit”, u shpreh Çelik.



Lajme të ngjashme