Kreu i YTB-së, Abdullah Eren: Më shumë studentë nga Uzbekistani duhet të arsimohen në Turqi

Presidenti i Departamentit për Turqit Jashtë Shtetit dhe Komunitetet e Afrishme (YTB), Abdullah Eren, deklaroi të martën se më shumë studentë nga Uzbekistani duhet të arsimohet në Turqi.

Kreu i YTB-së, Abdullah Eren: Më shumë studentë nga Uzbekistani duhet të arsimohen në Turqi

Një delegacion turk i drejtuar nga Abdullah Eren, i cili po realizon kontakte në Tashkent, u prit në takim nga ministri i Arsimit të Lartë të Uzbekistanit, Inam Majidov.

Eren e informoi ministrin uzbek për programin “Bursat e Turqisë” dhe i shprehu atij dëshirën për të zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet me Uzbekistanin në fushën e arsimit.

Ai tha se në Turqi ndjekin arsimin e lartë 170 mijë studentë ndërkombëtarë nga 170 vende të ndryshme të botës dhe 16 mijë prej tyre janë pjesë e programit “Bursat e Turqisë”.

Duke rikujtuar se këtë vit janë bërë 150 mijë aplikime nga 170 shtete për programin “Bursat e Turqisë”, Eren vuri në pah se me anë të aktiviteteve të përbashkëta promovuese që do të bëhen vitet e ardhshme me Ministrinë e Arsimit të Lartë, synojnë që të rrisin numrin e aplikimeve dhe studentëve me bursë nga Uzbekistani.

Kreu i YTB-së rikujtoi se në Turqi arsimohen aktualisht mbi 1 mijë studentë uzbekë, 150 prej të cilëve përfitojnë nga programi “Bursat e Turqisë”.

“Ne duam që në Turqi të arsimohen më shumë studentë nga Uzbekistani miqësor e vëllazëror”, shtoi Eren.

Nga ana e tij, ministri Majidov nënvizoi se programi “Bursat e Turqisë” është një prej atyre më gjithëpërfshirës në botë dhe se ata duan që të rinjtë uzbekë të arsimohen në Turqi.

Gjatë takimit palët ranë dakord që të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Uzbekistanit dhe Turqisë në fushën e arsimit të lartë.



Lajme të ngjashme