Turqia evokon Ataturkun në 81-vjetorin e ndarjes nga jeta

Lideri i Luftës Çlirimtare Turke, themeluesi dhe Presidenti i parë i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, u përkujtua në 81-vjetorin e ndarjes nga jeta me një ceremoni shtetërore të zhvilluar në Mauzoleun e tij (Anıtkabir) në Ankara.

10 kasim anma9.jpg
10 kasim anma1.jpg
10 kasim anma2.jpg
10 kasim anma3.jpg
10 kasim anma4.jpg
10 kasim anma5.jpg

Zyrtarë të lartë të shtetit të Turqisë, nën kryesimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, vizituan Mauzoleun e Ataturkut me rastin e 81-vjetorit të ndarjes nga jeta të “babait të turqve”.

Presidenti Erdogan, pasi vendosi një kurorë me karafila të bardhë dhe me motivin e hënës dhe yllit në Mauzoleun e Ataturkut, mbajti një minutë heshtje në përkujtim të tij në orën 09:05 sipas kohës lokale, ora në të cilën themeluesi i Republikës së Turqisë u nda nga jeta 81 vite më parë, ndërsa më pas u ekzekutua himni kombëtar.

Gjatë qëndrimit të nderit, flamuri turk u ul në gjysmështizë.

Kurse në Librin e Veçantë të Anitkabirit, Erdogani shkroi këto fjalë: “Sot, në 81-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gazi Mustafa Kemal Ataturkut, përkujtojmë edhe një herë personalitetin e tij si kryekomandant i luftës sonë për pavarësi, si themelues i Republikës sonë dhe si presidenti ynë i parë. Kujtimet e shenjta të Ataturkut dhe shokëve të tij të armëve, si dhe të gjithë dëshmorëve dhe veteranëve tanë që luftuan për një mijë vjet për ta bërë këtë territor një atdhe për ne, do të jetojnë gjithmonë në zemrën e popullit tonë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me gjithë fuqinë tonë për ta forcuar, zhvilluar dhe për ta mbajtur gjallë gjithmonë Republikën tonë, të cilën e kemi amanet prej tij. Iu prehtë shpirti në paqe!”

Gjatë vizitës së Mauzoleun e Ataturkut në Ankara, Presidenti Erdogan shoqërohej nga nënkryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë – Sureyya Sadi Bilgiç, anëtarët e Kabinetit Presidencial të Turqisë, kryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP) – Kemal Kiliçdaroglu, kryetarja e Partisë së Mirë (IYI Parti) – Meral Akşener, përfaqësues të lartë të Gjyqësorit, komandantë të Forcave të Armatosura, zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe përfaqësues të forcave politike të tjera.

Në fund të ceremonisë, Mauzoleu u hap edhe për vizitat e qytetarëve.

Dyndje pati që në orët e para të mëngjesit edhe në Pallatin “Dolmabahçe”, ku Ataturku ndërroi jetë.

Qytetarë, nxënës e studentë, të cilët krijuan radhë të gjata përpara hyrjes së Pallatit “Dolmabahçe”, mbajtën qëndrim nderi, kënduan himnin kombëtar dhe vendosën karafila të bardhë e të kuq mbi krevatin e Ataturkut e përreth tij.

Kurse anembanë vendit, me fillimin e rënies së sirenave në orën 09:05, qytetarët mbajtën qëndrim nderi, trafiku rrugor u ndal dhe drejtuesit e automjeteve u ranë borive për të shoqëruar qëndrimin e nderit.

Në Kapadokia, operatorët e aerostateve turistike vendosën flamurin turk dhe fotografitë e Ataturkut në koshin e balonave dhe fluturuan për një orë në këtë mënyrë mbi bukuritë natyrore të Goremesë, në rrethin Nevsehir.



Lajme të ngjashme