Turqia dhe Rusia filluan patrullimet e përbashkëta tokësore në Siri

Në kuadër të zbatimeve të "zonës së sigurt" në Siri dhe në bazë të marrëveshjes së arritur me Federatën Ruse në Soçi më 22 tetor në lindje të Eufratit filloi edhe patrullimi i parë i përbashkët tokësore nga ushtarë turq dhe rusë.

Turqia dhe Rusia filluan patrullimet e përbashkëta tokësore në Siri

Ushtarët turq dhe rusë kanë kryer patrullime të përbashkëta në Siri.

Në kuadër të zbatimeve të "zonës së sigurt" në Siri dhe në bazë të marrëveshjes së arritur me Federatën Ruse në Soçi më 22 tetor në lindje të Eufratit janë kryer edhe patrullimet e para të përbashkëta tokësore nga ushtarë turq dhe rusë.

Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare thuhet se patrullimi i përbashkët turko-rus u krye në lindje të zonës së Operacionit “Burimi i Paqes” me pjesëmarrjen e dronëve dhe të 8 autoblindave.

“Gjatë patrullimit në Telabyad u shkatërrua një punëtori, të cilën terroristët e YPG/PKK-së e përdornin për prodhimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara, dhe u sekuestruan 1 ton nitrat amoni. Në Operacionin ‘Burimi i Paqes’ deri më tani u shkatërruan mbi 400 mina dhe mjete shpërthyese të improvizuara dhe një autobombë”, bëhet e ditur në komunikatë.

Burimet ushtarake raportojnë që sirianët, të cilët panë që Forcat e Armatosura të Turqisë kanë marrë çdo lloj mase të sigurie në Rasulayn dhe Telabyad, janë kthyer shumë shpejtë në këto zona.

Burimet e njëjta gjithashtu bëjnë të ditur se patrullimi i përbashkët turko-rus u krye në zonën 40 km në lindje të Rasulaynit dhe 30 km në perëndim të Kamislit.

Patrullimi i autokolonës, e cila për një kohë zhvilloi vëzhgime në këtë zonë, zgjati 4 orë.

Autokolona e Forcave të Armatosura të Turqisë pas përfundimit të patrullimit u kthye vijën kufitare.      

Autokolona e Forcave të Armatosura të Turqisë e përbërë nga autoblindat me flamuj turq kaluan kufirin në afërsi të fshatit Sevimli që ndodhet 20 km në perëndim të nënprefekturës Kiziltepe të Mardinit, për t’u bashkuar me autokolonën e ushtarëve rusë për patrullimin e përbashkët.

Elementët e Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Rusisë po realizojnë patrullime tokësore në zonën rurale të Debesiyes në Siri.

Sipas marrëveshjes së Soçit terroristët e PKK/YPG-së do të tërhiqen 30 km nga qendra e Ayn Al-Arab dhe Kamisli.

Terroristët do të tërhiqen edhe nga Menbixhi dhe Tel-Rifat.

Zona prej 10 km do të kontrollohet nga njësitë turke dhe ruse. Afati i tërheqjes i caktuar me marrëveshje skadoi të martën.

Rusia bëri të ditur se terroristët do të tërhiqen nga zonat e caktuara, ndërkaq me patrullime të përbashkët kontrollohet nëse terroristët janë tërhequr apo jo.

Ndërsa zona 20 km në thellësi jashtë zonës së patrullimit do të jetë nën kontrollin e Agjencisë Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT).

Turqia dhe Rusia do të formojnë një mekanizëm të përbashkët, i cili do të mbikëqyrë procesin. Pas kontrollit Turqia do të formojë edhe pikat e vëzhgimit në zonën e sigurt.

Ndërkohë në kuadër të marrëveshjes së Soçit delegacioni i dytë ushtarak rus sot do të zhvillojë një vizitë në kryeqytetin Ankara.

Sipas një deklarate të bërë në llogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare në Twitter bëhet e ditur se me delegacionin rus do të bisedohet për çështjet taktike dhe teknike.

Delegacioni i parë ushtarak rus në Ankara, ka zhvilluar takime me bashkëbiseduesit turq për 3 ditë.

Nga ana tjetër para patrullimit të përbashkët me ushtarët rusë në kufirin e Sirisë, shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Turke, gjeneralarmate Yasar Guler dhe homologu i tij rus, gjeneralarmate Valery Gerasimov zhvilluan një bisedë telefonike.

Bëhet e ditur se gjatë bisedës u shkëmbyen mendimet mbi zhvillimet e përditshme në Siri.



Lajme të ngjashme