Turqia monitoron nga afër tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë njoftoi të martën se po ndiqet nga afër procesi i tërheqjes së terroristëve të YPG/PKK-së nga zona (e sigurt) dhe se prej atje kanë dalë 136 mjete.

Turqia monitoron nga afër tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë
MSB, Yarbay Nadide Şebnem Aktop.jpg
Nadide sebnem Aktop.jpg

Nadide Sebnem Aktop, oficere e prezantimit të Drejtorisë së Informacionit dhe Marrëdhënieve me Publikun pranë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare dhe nënkolonele e Forcave Detare të Turqisë, dha informacione rreth zhvillimeve të fundit lidhur me operacionin “Burimi i Paqes” gjatë konferencës ditore për shtyp në Ankara.

“Forcat e Armatosura të Turqisë kanë zbatuar plotësisht marrëveshjen për zonën e sigurt, ndërsa nga terroristët e YPG/PKK-së deri më tani janë kryer 42 shkelje/provokime. E drejta jonë për vetëmbrojtje kundër provokimeve dhe shkeljeve është gjithmonë e vlefshme. Provokimet/shkeljet e kryera ndahen menjëherë me bashkëbiseduesit tanë amerikanë. Deri më tani janë vënë nën kontroll 160 vendbanime, një hapësirë prej 2.200 km2 dhe janë neutralizuar 775 terroristë”, theksoi ajo.

Aktop rikujtoi se vazhdon afati prej 120 orësh i parashikuar në marrëveshjen e arritur më 17 tetor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e terroristëve të PKK/YPG-së jashtë rajonit të përcaktuar si zonë e sigurt, si dhe për mbledhjen e armëve të rënda dhe shkatërrimin e fortifikimeve.

“Në kuadër të marrëveshjes, po ndiqet nga afër procesi lidhur me tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona dhe se në këtë kontekst nga rajoni kanë dalë 136 mjete”, shtoi Aktop.

Oficerja prezantuese theksoi gjithashtu se vazhdojnë aktivitetet e pastrimit të minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara për normalizimin e jetës në zonën e vënë nën kontroll dhe se deri më tani janë çaktivizuar 40 mina e 222 eksplozivë artizanalë.

E pyetur nëse do të ketë apo jo zgjatje të afatit të parashikuar në marrëveshje, Aktop precizoi se aktualisht nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë.

“Pas orës 22:00 (19:00 GMT) ne do të vazhdojmë kërkimin në terren për tunele dhe për pastrimin e mjeteve shpërthyere të improvizuara dhe minave në zonë. Nëse hasen elementë terroristë, ata do të neutralizohen”, përfundoi ajo.



Lajme të ngjashme