Erdogan: YPG/PKK-ja ka filluar tërheqjen nga veriu i Sirisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri me dije të premten se organizata separatiste terroriste YPG/PKK ka filluar të tërhiqet nga veriu i Sirisë.

Erdogan: YPG/PKK-ja ka filluar tërheqjen nga veriu i Sirisë

Kjo deklaratë e kreut të shtetit turk erdhi gjatë një daljeje publike pas namazit të xhumasë në Stamboll.

Erdogani u ndal veçanërisht mbi marrëveshjen e arritur të enjten ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një pauzë 120-orëshe në operacionin “Burimi i Paqes”, të cilin Forcat e Armatosura të Turqisë e filluan më 9 tetor së bashku me Ushtrinë Kombëtare Siriane kundër terroristëve në veri të Sirisë.

“Kaluam një afat rreth 9 ditë të gjatë në rajon (...) Ishte një proces që vijonte paralelisht me diplomacinë telefonike. Kemi realizuar biseda (telefonike) me Presidentin e SHBA-së – Donad Trump, me Kryetarin e Shtetit të Rusisë – Vladimir Putin dhe me liderët të shteteve të ndryshme evropiane. Por bisedimet tona të intensifikuara i realizuam dje. Në bisedën që realizuam me z. Trump, thamë që mund të arrijmë më shumë përmes një takimi ndërmjet delegacioneve. Ata dërguan pardje dhe dje një delegacion të drejtuar nga ndihmëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence. Këto delegacione zhvilluan bisedime paraprake me delegacionet që përcaktova unë. Kurse dje realizuam bisedimet finale”, tha ai.

Lideri turk vuri në pah se në radhë të parë është takuar personalisht me ndihmëspresidentin Pence.

“Pastaj, si rezultat i bisedimeve ndërmjet delegacioneve, ne ramë dakord mbi një deklaratë të përbashkët me 13 pika, të cilën ia komunikuam opinionit publik. Procesi 120-orësh po funksionon. Kemi të bëjmë me një zonë 444 km të gjatë. Ne ramë dakord që kjo zonë të zbrazet brenda 120 orëve”, u shpreh Erdogani.

“Ne vendosëm që (zonën e sigurt) ta zbatojmë nën kontrollin e Turqisë dhe duke u koordinuar së bashku. Do të jemi vazhdimisht në kontakt. Shpresojmë të përfundojmë me sukses 120 orët... Nga ana tjetër, ditën e martë (22 tetor) do të kem një takim me z. Putin. Edhe takimin me Putinin unë e shoh si një element të këtij procesi. Bisedova me ministrin tim të Mbrojtjes Kombëtare dhe ai më informoi se (tërheqja e terroristëve) ka filluar. Një tjetër pikë e marrëveshjes sonë është se forcat tona aktualisht atje, nuk do të braktisin terrenin. Mesa më ka informuar ministri im i Mbrojtjes Kombëtare, nuk bëhet fjalë për luftime. Të mos u vëmë veshin dezinformacioneve”, vlerësoi Presidenti Erdogan mes të tjerash.



Lajme të ngjashme