Erdogan: Nëse s’përmbushen angazhimet deri në fund të 120 orëve, operacioni “Burimi i Paqes” vazhdon

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi të premten se operacioni i pezulluar “Burimi i Paqes” do të vazhdojë me më shumë vendosmëri në rast se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përmbushin angazhimet e tyre deri në fund të 120 orëve.

Erdogan: Nëse s’përmbushen angazhimet deri në fund të 120 orëve, operacioni “Burimi i Paqes” vazhdon

Kjo deklaratë e kreut të shtetit turk erdhi gjatë një takimi me përfaqësuesit e mediave të huaja në Pallatin “Dolmabahçe” të Stambollit.

Gjatë fjalës së rastit, Erdogani theksoi se në zonën e sigurt, që do të formohet në veri të Sirisë, planifikojnë rikthimin e 1-2 milionë refugjatëve sirianë.

Ai tha se ushtria turke nuk do të tërhiqet nga veriu i Sirisë, pasi siguria atje e kërkon këtë gjë.

“Operacioni «Burimi i Paqes» nuk është një formim i çastit. Nëse kthehemi prapa, ka 3, 4 apo 5 vite që bëhen përgatitje”, deklaroi Erdogani.

“Kur nga disa pika arritëm në një thellësi prej 30 kilometrash, qëndrimi i disa vendeve, sidomos i SHBA-së dhe Evropës, ndryshoi në çast”, shtoi presidenti turk duke potencuar se vendi i tij ka zhvilluar luftën më efikase dhe më frytdhënëse kundër organizatës terroriste DAESH.

“Ne e filluam operacionin «Burimi i Paqes» sepse u detyruam. Tani s’do të merreshim me një problem të tillë nëse do t’i ishte vënë veshi paralajmërimeve tona në lidhje me organizatën terroriste PKK/YPG”, nënvizoi ai.

Erdogani riafirmoi respektin e Turqisë ndaj integritetit territorial të Sirisë dhe uroi që Komiteti Kushtetues, i cili do të mblidhet më 30 tetor në Gjenevë, të jetë një moment historik për zgjidhjen politike në fqinjin jugor të vendit të tij.

Lideri turk njoftoi po ashtu se gjithsej 4 ushtarë turq dhe 74 anëtarë të Ushtrisë Kombëtare Siriane kanë rënë dëshmorë gjatë operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë.

Ai shtoi se forcat turke të sigurisë kanë neutralizuar rreth 750 terroristë të YPG/PKK-së deri më tani në kuadër të ofensivës.

Duke reaguar edhe ndaj letrës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e cila u publikua në media, Erdogani tha: “Kur të vijë koha dhe ora e duhur, do të bëhet ç’të jetë e nevojshme edhe për këtë çështje.”

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat, në veri të Sirisë, për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste, si dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e listuar si organizatë terroriste nga Ankaraja, Brukseli dhe Uashingtoni, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshi këtu shumë gra dhe fëmijë.



Lajme të ngjashme