Deklarata e Përbashkët Turqi-SHBA për Verilindjen e Sirisë: 13 pikat

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të enjten në mbrëmje një pauzë 120-orëshe (5 ditë) të operacionit “Burimi i Paqes” për të lejuar tërheqjen e organizatës terroriste YPG/PKK nga zona e sigurt e planifikuar nga Ankaraja.

Deklarata e Përbashkët Turqi-SHBA për Verilindjen e Sirisë: 13 pikat

Pas bisedimeve kokë më kokë ndërmjet Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe ndihmëspresidentit amerikan, Mike Pence, por edhe mes delegacioneve të dy vendeve; u bë publike edhe “Deklarata e Përbashkët Turqi-SHBA për Verilindjen e Sirisë”, e cila formohet nga 13 pika.

Ja cilat janë 13 pikat e deklaratës së përbashkët në fjalë:

  1. Turqia dhe SHBA-ja riafirmojnë marrëdhëniet e tyre si anëtare të NATO-s. SHBA-ja kupton shqetësimet e ligjshme të sigurisë së Turqisë në kufirin jugor të saj.
  2. Turqia dhe SHBA-ja bien dakord që kushtet në terren, sidomos në verilindje të Sirisë, kërkojnë një koordinim më të ngushtë në bazë të interesave të përbashkëta.
  3. Turqia dhe SHBA-ja mbeten të përkushtuara për të mbrojtur territoret dhe popujt e NATO-s kundër të gjitha kërcënimeve me mirëkuptimin e fortë “një për të gjithë dhe të gjithë për një”.
  4. Që të dyja vendet përsërisin zotimin e tyre për të mbështetur jetën e njeriut, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e bashkësive fetare dhe etnike.
  5. Turqia dhe SHBA-ja janë të vendosura për të vazhduar aktivitetet e luftës kundër DAESH-it në verilindje të Sirisë. Kjo përfshin gjithashtu koordinimin lidhur me qendrat e paraburgimit dhe personat e zhvendosur brenda zonave të kontrolluara më parë nga DAESH-i, sipas rastit.
  6. Turqia dhe SHBA-ja bien dakord që operacionet kundër terrorizmit duhet të synojnë vetëm terroristët dhe vendstrehimet, bunkerët, fortifikatat/pozicionet e zjarrit, armët, automjetet dhe pajisjet e tyre.
  7. Pala turke shpreh angazhimin e saj për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e banorëve në të gjitha qendrat e banuara në zonën e sigurt të kontrolluar nga Forcat Turke (zona e sigurt) dhe potencon se do të tregojë kujdes maksimal për të mos dëmtuar civilët dhe infrastrukturën civile.
  8. Të dyja vendet ritheksojnë angazhimin e tyre për unitetin politik e integritetin territorial të Sirisë dhe për procesin politik të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, i cili synon t’i japë fund konfliktit sirian në përputhje me rezolutën nr. 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
  9. Që të dyja palët bien dakord për rëndësinë e vazhdueshme dhe funksionalitetin e një zone të sigurt për të eliminuar shqetësimet e sigurisë kombëtare të Turqisë duke përfshirë mbledhjen e armëve të rënda të YPG-së dhe çaktivizimin e fortifikimeve dhe të gjitha pozicioneve të tjera luftarake të tyre.
  10. Zona e sigurt do të zbatohet në radhë të parë nga Forcat e Armatosura Turke dhe të dyja palët do të rrisin bashkëpunimin e tyre në të gjitha dimensionet e zbatimit të saj.
  11. Pala turke do të bëjë një pauzë në operacionin “Burimi i Paqes” në mënyrë që të lejojë tërheqjen e YPG-së nga zona e sigurt brenda 120 orëve. Operacioni “Burimi i Paqes” do të ndalet pas përfundimit të kësaj tërheqjeje.
  12. Sapo të nisë pauza e operacionit “Burimi i Paqes”, SHBA-ja bie dakord që të mos ndjekë vendosjen e mëtejshme të sanksioneve nën Urdhrin Ekzekutiv Presidencial të 14 tetorit 2019 për “Bllokimin e Pronës dhe Pezullimin e Hyrjes së Disa Personave që Kontribuojnë në Situatën në Siri”, si dhe që të punojë dhe këshillohet me Kongresin, sipas rastit, për të nënvizuar progresin që po ndërmerret për të arritur paqen dhe sigurinë në Siri, në përputhje me rezolutën nr. 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sapo të ndalet operacioni “Burimi i Paqes” sipas paragrafit 11, sanksionet aktuale nën Urdhrin Ekzekutiv Presidencial të sipërpërmendur do të hiqen.
  13. Të dyja palët janë të angazhuara të punojnë së bashku për implementimin e të gjitha objektivave të përshkruara në këtë deklaratë.


Lajme të ngjashme