Erdogan: Turqia do ti vazhdojë përpjekjet për zbardhjen e vrasjes Khashoggi

Në një artikull për «The Washington Post» Presidenti Rexhep Tajip Erdoan thotë se Turqia do ti vazhdojë përpjekjet e saj për zbardhjen e vrasjes së gazetarit saudit Khashoggi.

Erdogan: Turqia do ti vazhdojë përpjekjet për zbardhjen e vrasjes Khashoggi

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka shkruar një artikull për «The Washington Post».

Duke u ndalur edhe në vrasjen e ish-kolumnistit të «Washington Post», gazetarit saudit Jamal Khashoggi më 2 tetor 2018 në Konsullatën e Përgjithshme të vendit të tij në Stamboll Erdoan në artikullin e tij shkruan:

“Nëse i lëmë mënjanë sulmet terroriste të 11 shtatorit, vrasja e Khashoggit mund të konsiderohet si ngjarja më e madhe dhe më e diskutueshme e shekullit 21-të. Pasi që nga 11 shtatori e këtej asnjë ngjarje nuk e ka kërcënuar kaq shumë rendin ndërkombëtar; nuk i ka sfiduar kaq shumë rregullat e pranuara nga bota”.

Fakti se janë ende të kufizuara ato çfarë dimë për këtë vrasje, edhe pse ka kaluar një vit, është një realitet i trishtuar për të cilin bashkësia ndërkombëtare duhet të mendojë. Zbardhja apo jo në të gjitha aspektet e vrasjes së gazetarit saudit do të përcaktojë edhe atë se në çfarë bote do të jetojnë fëmijët tanë”, vlerëson në artikullin e tij kreu i shtetit turk.

Që nga dita e parë Turqia ka përvetësuar politikën e transparencës së plotë në lidhje me këtë çështje, thekson Erdogan dhe shton:

“Në periudhën njëvjeçare që kemi lënë prapa agjencia jonë e inteligjencës dhe policia jonë bashkë me diplomatët dhe prokurorët tanë e kanë ndjekur çështjen dhe kanë bashkëpunuar me homologët e tyre. Ata kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndriçuar opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar."

Erdoani deklaroi se Turqia e kishte bërë shumë hapur dhe qartë dallimin mes bandës që kishte masakruar brutalisht Khashoggi dhe mbretit Selman bin Abdulaziz dhe popullit të Arabisë Saudite.

"Nga ana tjetër, miqësia jonë e lashtë nuk na pengon që të themi të vërtetën. Pasi miku të thotë të vërtetën, edhe pse mund të jetë e hidhur”,- cilësoi ai.

Duke shprehur besimin se drejtësia do të manifestohet vetëm nga gjykatat kombëtare dhe ndërkombëtare, Erdoani thotë:

"Menaxhimi i procesit pa transparencë, seancat gjyqësore që janë mbajtur pas dyerve të mbyllura dhe pretendimet se të pandehurit janë liruar jozyrtarisht, jo vetëm që do të shkaktojnë zhgënjim në pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare, por do të ndikojnë negativisht edhe në imazhin e Arabisë Saudite. Si një vend mik dhe aleat i Arabisë Saudite ne nuk duam kurrsesi që të ndodhë diçka e tillë”.

Presidenti Erdoan tha se Turqi edhe në periudhën e ardhshme do ti vazhdojnë përpjekjet e saj për të zbardhur vrasjen Khashoggi.  

 


Lajme të ngjashme