Aksoy: Kritikat e puçistëve ndaj demokracisë në Turqi, tragjikomike

Ankaraja zyrtare ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit, e cila është plot gënjeshtra e shpifje për Turqinë dhe Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

1277656
Aksoy: Kritikat e puçistëve ndaj demokracisë në Turqi, tragjikomike

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, i është përgjigjur me shkrim një pyetjeje lidhur me deklaratën e lëshuar të martën nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit.

“Ne e hedhim poshtë deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit më datë 24 shtator 2019, e cila është plot gënjeshtra e shpifje dhe tejkalon masën duke vënë në shënjestër Turqinë dhe Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Kritikat ndaj demokracisë turke nga ata që e morën pushtetin me anë të një grushtshteti, janë tragjikomike në vetvete.

Si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, Turqia bën thirrje për t’u dhënë fund shkeljeve të përhapura dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Egjipt dhe për të përmbushur kërkesat legjitime të popullit egjiptian për demokraci, drejtësi, barazi, liri, llogaridhënie dhe mirëqënie. Praktikat e paskrupulla në burgjet e Egjiptit dhe gjykimet e motivuara politikisht janë të njohura nga bashkësia ndërkombëtare. Këto praktika janë gjithashtu subjekt i kritikave nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Në vend që t’u përgjigjet thirrjeve dhe sugjerimeve qëllimmira, qeveria egjiptiane preferon edhe një tjetër herë të përvetësojë një qëndrim agresiv për të mohuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për të injoruar kërkesat e ligjshme të popullit egjiptian.

Përpjekjet e Egjiptit për të vënë në shënjestër Turqinë, e cila ka një rol udhëheqës dhe përvojë në luftën kundër terrorizmit, janë padyshim një reflektim tjetër i sjelljes agresive të Egjiptit. Krahas organizatës terroriste gyleniste (FETO), Turqia lufton prej shumë vitesh me të gjitha format dhe manifestimet e organizatave terroriste, të tilla si PKK/YPG, Al-Kaeda dhe DAESH. Kjo luftë e Turqisë kundër kërcënimit ndërkufitar të terrorizmit, sidomos në Siri, po kontribuon në integritetin territorial të fqinjëve të saj dhe në sigurinë e paqen rajonale.

Siç shihet qartë në deklaratë, mbështetja e të ngriturve në pushtet me grushtshteti për puçistët e tjerë nuk është aspak befasuese.

Në fakt, kjo deklaratë nuk është asgjë më shumë se një pasqyrim tjetër i karakterit shtypës dhe tiranik të qeverisë së Egjiptit.

Turqia do të ruajë qëndrimin e saj parimor për paqen dhe mirëqenien e popullit vëllazëror egjiptian, si dhe do të vazhdojë të shprehë mendimet e saj në lidhje me restaurimin e demokracisë dhe vendosjen e të drejtave dhe lirive në Egjipt”, thuhet në komunikatën me shkrim të zëdhënësit Aksoy.



Lajme të ngjashme