Maas: Mbetemi të angazhuar ndaj marrëveshjes BE-Turqi për refugjatët

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi të hënën se mbeten të angazhuar ndaj marrëveshjes për refugjatët, arritur në vitin 2016 ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Maas: Mbetemi të angazhuar ndaj marrëveshjes BE-Turqi për refugjatët

Ky vlerësim i shefit të diplomacisë gjermane erdhi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij grek, Nikos Dendias, pas një takimi në Berlin.

Heiko Maas theksoi se emigracioni është një prej çështjeve më urgjente që BE-ja duhet të zgjidhë.

“Po ndjekim me shqetësim ardhjen e më shumë njerëzve aktualisht nga Turqia në Greqi, sidomos me rrugë detare. Ne mbetemi të angazhuar ndaj marrëveshjes BE-Turqi dhe do të mbajmë zotimet tona”, tha ai.

Ministri gjerman tërhoqi vëmendjen se javën e kaluar ka realizuar një bisedë telefonike me kryediplomatin turk, Mevlut Çavusoglu dhe se po veprojnë duke u nisur nga ajo që edhe pala turke do t’i plotësojë angazhimet që burojnë nga kjo marrëveshje.

Pasi sqaroi se masat që qeveria greke ka marrë për të përmirësuar situatën në ishujt, ku refugjatët kanë mbërritur, janë të rëndësishme për zgjidhjen e problemit të refugjatëve, Maas vijoi me këto fjalë: “Ne kemi interesa të përbashkëta në lidhje me emigracionin. Greqia është vendi i parë, në të cilin refugjatët mbërrijnë. Ndërsa Gjermania është vendi i parë që refugjatët synojnë të mbërrijnë.”

Kurse ministri i Jashtëm grek, Dendias, vlerësoi lart kontributin e Gjermanisë për çështjen e refugjatëve.

“Ekziston pritja se flukset e refugjatëve dhe emigrantëve do të arrijnë sërish në përmasa shqetësuese”, tha ai.

Duke theksuar se vendet e prekura duhet të solidarizohen në lidhje me këtë çështje, Dendias vuri në pah se me rëndësi të veçantë është implementimi i marrëveshjes BE-Turqisë të marsit 2016.



Lajme të ngjashme