Gjermani – Maas: BE-ja do të respektojë angazhimet ndaj Turqisë për refugjatët

Gjermania ripohoi të enjten angazhimin e saj për marrëveshjen e refugjatëve ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian, mes frikës së një vale tjetër refugjatësh për shkak të sulmeve të regjimit të Assadit në provincën veriperëndimore siriane të Idlibit.

Gjermani – Maas: BE-ja do të respektojë angazhimet ndaj Turqisë për refugjatët

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin me homologun Nikola Dimitrov nga Maqedonia e Veriut, ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, u shpreh i shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe numrin në rritje të kalimeve në Egje gjatë muajve të fundit.

“Kam diskutuar për këto çështje në një telefonatë këtë javë me homologun tim turk, Mevlut Cavusoglu. Unë kam theksuar edhe një herë se Unioni do të respektojë angazhimet e tij në bazë të marrëveshjes së refugjatëve BE-Turqi”, tha Maas duke shtuar se ai priste që Turqia gjithashtu të vazhdojë respektimin e angazhimeve të saj.

“Ishte një bisedë (telefonike) shumë konstruktive. Kështu që unë besoj se situata do të qetësohet dhe do të normalizohet përsëri hap pas hapi”, shtoi ai.

Rreth 8.100 refugjatë dhe emigrantë mbërritën muajin e kaluar në ishujt grekë, sipas Komisariatit të Lartë të OKB për Refugjatët (UNHCR).

Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015, më shumë se 856.000 njerëz, kryesisht refugjatë sirianë dhe irakianë, kaluan detin Egje.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi javën e kaluar një fluks të ri të mundshëm refugjatësh nga Idlibi i shkatërruar nga konflikti në Siri duke i kërkuar BE-së që të marrë masa për të ndarë barrën.

Erdogani nënvizoi se Turqia mund të hapë dyert që refugjatët të kalojnë në Evropë, nëse Unioni nuk do të ndihmojë për të lehtësuar barrën e rëndë në fjalë.

Në vitin 2016, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pati udhëhequr marrëveshjen e refugjatëve BE-Turqi me shpresën për të ndalur fluksin e refugjatëve, pasi gati 1 milion refugjatë kishin mbërritur në Gjermani.

Marrëveshja ka qenë e suksesshme në uljen e ndjeshme të numrit të kalimeve në detin Egje dhe në parandalimin e humbjes së shumë jetëve.

Por Ankaraja kritikoi partnerët e saj evropianë për moszbatimin e plotë të marrëveshjes së marsit 2016.

BE-ja kishte premtuar një ndihmë prej 6 miliardë eurosh për të përmirësuar kushtet e jetesës së refugjatëve sirianë në Turqi. Por vetëm 2,22 miliardë euro janë livruar deri në qershor 2019.

Turqia pret aktualisht rreth 3,6 milion refugjatë sirianë, më shumë se çdo shtet tjetër në botë. Sipas shifrave zyrtare, Ankaraja ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët deri më tani.



Lajme të ngjashme