Çavusoglu: Nëse bashkëpunimi me SHBA-në nuk jep rezultat, ne do të hyjmë në zonë

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, akuzoi të martën Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nuk po mbajnë premtimet në lidhje me udhërrëfyesin për Menbixhin.

Çavusoglu: Nëse bashkëpunimi me SHBA-në nuk jep rezultat, ne do të hyjmë në zonë

Kjo deklaratë e shefit të diplomacisë turke erdhi gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanovic, pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve në Rezidencën Zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ankara.

Sa i përket misionit të patrullimit të përbashkët që Turqia dhe SHBA-ja po kryejnë në Siri, Çavusoglu rikujtoi se kur filluan negociatat me palën amerikane për zonën e sigurt në veri të Sirisë, u bë hapi i parë për ndërtimin e qendrës së përbashkët operative dhe këtë e vlerësuan si një fillim të mirë.

Pas kësaj – theksoi ministri turk – ne edhe paralajmërimet ia bëmë SHBA-së në mënyrë të qartë.

“Përse ndjemë nevojën e këtyre paralajmërimeve? Sepse SHBA-ja, fatkeqësisht, nuk i mbajti premtimet për shkak të angazhimit të saj me organizatën terroriste PKK/YPG, sidomos në lidhje me udhërrëfyesin për Menbixhin, duke e zvarritur këtë udhërrëfyes”, shtoi ai.

Çavusoglu sqaroi se këto paralajmërime janë duke i bërë për mos t’u ballafaquar me një Menbixh të dytë, pasi në situatën e sotme duket qartë se sa të drejta ishin paralajmërimet e Turqisë, të shprehura madje edhe në nivelin më të lartë nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

“Po, aktualisht ka disa patrullime të përbashkëta, por me përjashtim të këtyre, hapat që janë bërë ose që thuhet se janë bërë, janë hapa kozmetike. Ne vërejmë po ashtu që SHBA-ja kërkon në një farë mënyre të hyjë në procesin e sorollatjes, por qëndrimi ynë lidhur me këtë çështje është maksimalisht i qartë. Realisht, kjo tablo që po shohim, është një tablo për ibret, e cila demonstron se si është katandisur një vend që pretendon të jetë avangardë e luftës kundër terrorizmit. E kemi fjalën për pseudoaleatin që nuk vepron dot në mënyrë të pavarur nga një organizatë terroriste”, tha ministri i jashtëm turk.

Duke bërë me dije se SHBA-ja në njërën anë bën këto hapa kozmetike bashkë me Turqinë dhe në anën tjetër mbështet e përforcon angazhimin e saj me organizatat terroriste, Çavusoglu potencoi se spastrimi i kësaj organizate terroriste nga rajoni është një çështje e sigurisë kombëtare për Turqinë.

“Ne e kemi absolutisht të pamundur që të bëjmë lëshime në lidhje me këtë çështje. Sepse një lëshim sot mund të na vendosë në të ardhmen përball rreziqeve më serioze dhe më të mëdha. Siç e ka theksuar edhe Presidenti Erdogan, nëse këto negociata dhe ky bashkëpunim nuk prodhojnë rezultat, ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe do të hyjmë në këtë zonë. Ashtu siç i kemi spastruar DAESH-in dhe YPG/PKK-në nga Afrini dhe zona e operacionit «Mburoja e Eufratit», ne do të pastrojmë këto zona gjithashtu. Zona e sigurt do të formohet dhe nga ana tjetër do të stabilizohet”, deklaroi kryediplomati turk.


Fjalët Kyçe: Mevlut Çavusoglu , Turqia

Lajme të ngjashme