Çavusoglu: Kemi vija të kuqe për Qipron

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të martën se Turqia dhe turqit qipriotë kanë vija të kuqe për Qipron.

Çavusoglu: Kemi vija të kuqe për Qipron

Këto vlerësime të shefit të diplomacisë turke erdhën gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanovic, pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve në Rezidencën Zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ankara.

“Sa i përket çështjes së Qipros, Turqia ka bërë të ditur edhe më parë që nuk përjashton asnjë opsion dhe që duhet të merren në konsideratë edhe opsione të tjera”, u shpreh ai.

Çavusoglu nënvizoi se duhet të shkohet në negociata të fokusuara në zgjidhje dhe se dokumenti kornizë i negociatave duhet të jenë i qartë.

“Ka vija të kuqe që janë të ndjeshme dhe të pakthyeshme për ne dhe turqit qipriotë. Ato më të rëndësishme prej tyre janë barazia politike, pjesëmarrja efektive dhe presidenca me rotacion. Këto gjithashtu duhet të përcaktohen qartë dhe të përjashtohen nga diskutimi”, shtoi kryediplomati turk.

Ai potencoi më tej se Turqia mbështet gjithnjë zgjidhjen.

“Negociatat e ardhshme duhet të jenë të orientuara drejt rezultateve dhe të kenë një kornizë të qartë, pasi një dështim tjetër s’mund ta përballojmë më as ne si Turqi dhe as pala e Qipros. Për më tepër, ne mendojmë që nuk ka asnjë kuptim që negociatat të fillojnë sa për të thënë”, tha ministri Çavusoglu mes të tjerash.



Lajme të ngjashme