Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Erdogan: Qyteti Idlib i Sirisë po shkatërrohet gradualisht si Halepi

“Idlibi po ballafaqohet me një rrënim gradual, ashtu si edhe Halepi i shkatërruar nga lufta”, tha kreu i shtetit turk gjatë një konference për shtyp në Ankara me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babis.

Erdogan: Qyteti Idlib i Sirisë po shkatërrohet gradualisht si Halepi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën se mungon mbështetja e nevojshme për formimin e zonës së sigurt në veri të Sirisë.

Ky vlerësim i Erdoganit erdhi gjatë një konference për shtyp në Kompleksin Presidencial në Ankara, pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babis, i cili po realizon një vizitë zyrtare në Turqi.

Duke shpjeguar se nuk janë mbajtur premtimet që janë dhënë për zonën e sigurt në veri të Sirisë, kreu i shtetit turk theksoi se janë bërë hapat e nevojshme kundër kërcënimeve të mundshme ndaj Turqisë.

“Tani zonën e sigurt po e sjellin vetë në rend të ditës, por kur u themi ejani ta bëjmë, përballë nuk arrijmë të gjejmë askënd dhe aktualisht zonës së sigurt i ka mbetur vetëm emri, sepse nuk bëhet fjalë për një situatë tjetër”, u shpreh ai.

“Në këto 3 javë përpara sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Turqia do të përdorë mundësinë e fundit për të gjetur një kompromis me SHBA-në për ndërtimin e një zone të sigurt përgjatë vijës lindore të lumit Eufrat”, shtoi kreu i Ankarasë zyrtare.

Erdogani u ndal gjithashtu mbi dramën humanitare në Idlib të Sirisë.

“Idlibi po ballafaqohet me një rrënim gradual, ashtu si edhe Halepi i shkatërruar nga lufta. Është e pamundur të heshtet ndaj të gjitha këtyre. Ne kemi biseduar dhe vazhdojmë të bisedojmë me Rusinë. Përpara kemi samitin trepalësh Rusi-Turqi-Iran. Këto bisedime do t’i realizojmë sërish brenda këtij muaji. Por synimi ynë është të merren disa masa përpara Gjenevës”, potencoi presidenti turk.

Pjesë e agjendës së Erdoganit gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin çek ishte edhe çështja e refugjatëve. Ai reagoi ndaj Bashkimit Evropian për mosrealizimin e premtimeve që i ka bërë Turqisë në këtë aspekt.

“Investimet tona të deritanishme kanë arritur në gati 40 miliardë dollarë. Por nga BE-ja, fatkeqësisht, nuk janë bërë as 3 miliardë euro. Ata vazhdojnë një taktikë sorollatjeje me mënyra të shumta, siç janë deklaratat e llojit i kemi bërë dhe do t’i bëjmë (investimet). Sidoqoftë ne po i ndihmojmë dhe do të vazhdojmë t’i ndihmojmë sa të mundemi këta 4 milionë njerëz”, tha lideri turk.

Ndërsa shefi i qeverisë çeke përshëndeti propozimin e Erdoganit për zonën e sigurt në Sirisë duke e vlerësuar atë si shumë të mirë.

“Turqia nuk po kërkon para, por një zonë të sigurt me shkolla, shtëpi dhe investime brenda saj”, deklaroi Kryeministri Andrej Babis.

Duke tërhequr vëmendjen gjithashtu se Turqia është një partnere e rëndësishme e Çekisë dhe aleate në kuadër të NATO-s, Babis vuri në pah se vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve mund të rritet më tej.

Kryeministri çek nënvizoi potencialin e madh të bashkëpunimit midis dy vendeve, veçanërisht në fusha të tilla si energjia dhe industria e mbrojtjes.

“Ne do të dëshironim të shohim kompani turke në vendin tonë”, tha Babis duke përmendur sidomos mundësitë që ofron Çekia në sektorin e ndërtimit.

Sipas burimeve presidenciale turke, gjatë takimi Erdogan-Babis u vlerësuan në detaje gjithashtu marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimet rajonale.



Lajme të ngjashme