Turqia dhe Libani synojnë forcimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, zhvilloi bisedime bilaterale të premten në Bejrut me Kryeministrin e Libanit, Saad al-Hariri, gjatë një vizite zyrtare në vend.

Turqia dhe Libani synojnë forcimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare

“Ne u pajtuam me Saad al-Haririn për të forcuar marrëdhëniet tona ekonomike dhe tregtare. Për këtë qëllim, ne do të mbledhim Komisionin e Përbashkët Ekonomik”, shkroi Cavusoglu në rrjetin social “Twitter”.

“Firmat turke janë të gatshme të japin kontribute të mëtejshme në infrastrukturën dhe zhvillimin e Libanit. Ne e shohim Libanin si një shtet vëllazëror dhe fqinjësor”, shtoi ai.

Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit Hariri, ministri Cavusoglu shprehu gjithashtu mbështetjen e Turqisë për ushtrinë e Libanit dhe themelet kushtetuese të tij.

Ata gjithashtu ranë dakord për të jetësuar marrëveshjen e zonës së tregtisë së lirë, nënshkruar më parë ndërmjet dy vendeve.

Hariri, nga ana e tij tha se kishte hequr kufizimet për hyrjen e disa produkteve turke në vend që nga dita e enjte.

Çavusoglu u takua më vonë me Kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri dhe ministren e Punëve të Brendshme dhe Bashkive, Raya al-Hassan. Më parë ai pati zhvilluar një takim edhe me Presidentin Michel Aoun.

“Ne kemi nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së stabilitetit dhe sigurisë së Libanit dhe jemi shprehur se Ministria jonë e Punëve të Brendshme është e gatshme të forcojë më tej bashkëpunimin (me Libanin) në fusha të ndryshme”, deklaroi Çavusoglu me një postim në “Twitter”, pas takimit me Al-Hassan.



Lajme të ngjashme