Qendra e Përbashkët Operative Turqi-SHBA fillon aktivitetin me kapacitet të plotë

Qendra e Përbashkët Operative ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila u formua në kuadër të përgatitjeve të nevojshme për të formuar zonën e sigurt në veri të Sirisë, filloi sot aktivitetin me kapacitet të plotë.

Qendra e Përbashkët Operative Turqi-SHBA fillon aktivitetin me kapacitet të plotë

Njoftimi erdhi nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.

I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralarmate Yasar Guler, komandanti i Forcave Tokësore gjeneralarmate Umit Dundar dhe komandanti i Forcave Detare admirali Adnan Ozbal, ministri Akar bëri inspektime në njësitë ushtarake në Izmir, provincë në perëndim të Turqisë.

Akar njoftoi gjatë fjalës së rastit se Qendra e Përbashkët Operative me SHBA-në ka filluar aktivitetin me kapacitet të plotë.

“Ka nisur implementimi në terren për fazën e parë”, u shpreh ai.

Duke treguar se fluturimi i parë i helikopterit në lidhje me krijimin e zonës së sigurt është duke u zhvilluar sot, ministri potencoi se ka filluar gjithashtu shkatërrimi i pozicioneve dhe fortifikimeve të terroristëve.

“Do të ushtrojmë deri në fund të drejtën tonë për vetëmbrojtje në rast të ndonjë sulmi ndaj pikave tona të vëzhgimit në Idlib ose ndaj pranisë sonë atje”, theksoi Akar në lidhje me sulmet e kryera ndaj Turqisë.

Bisedimet mes zyrtarëve turq dhe amerikanë për themelimin e Qendrës së Përbashkët Operative u zhvilluan në datat 5-7 gusht.

Autoritetet e të dyja vendeve kanë rënë dakord që zona e sigurt të jetë një korridor i paqes dhe të ndërmerren të gjitha llojet e masave shtesë që sirianët e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Turqia pret formimin e një zone të sigurt prej 32 kilometrash në veri të Sirisë dhe ka theksuar se kërkon që organizata terroriste YPG/PKK të pastrohet nga rajoni.

Akar dha informacione edhe për operacionet “Kthetra” në vazhdim.

“Në operacionin «Kthetra-1» janë neutralizuar 64, në «Kthetra-2» 16 dhe në 8 muajt e fundit janë neutralizuar 654 terroristë në veri të Irakut. Po ashtu «Kthetra-3» vazhdon me sukses”, theksoi ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare.

Turqia filloi më 27 maj operacionin e madh antiterrorist “Kthetra” kundër organizatës separatiste terroriste PKK në zonën e quajtur Hakurk, në veri të Irakut, ndërsa më 13 korrik ndërmori operacionin “Kthetra-2” si vazhdimësi e operacionit të parë.

Përmes një komunikate të shtunën paradite, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi gjithashtu se të premten mbrëma ka nisur edhe operacioni “Kthetra-3”.

YPG/PKK-ja është fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, e cila është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshi këtu shumë gra e fëmijë, gjatë fushatës së saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë. Këshilli Evropian e ka përfshirë atë në listën e organizatave terroriste që në vitin 2002. Përveçse nga Turqia e Bashkimi Evropian, PKK-ja cilësohet si organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja.



Lajme të ngjashme