Erdogan: Organizatat terroriste brenda vendit janë në pikën e eliminimit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bëri me dije të premten se organizatat terroriste brenda vendit kanë arritur në pikën e eliminimit në masë të madhe.

Erdogan: Organizatat terroriste brenda vendit janë në pikën e eliminimit

Duke folur në ceremoninë e diplomimit të oficerëve dhe nënoficerëve të Akademisë së Xhandarmërisë dhe Rojës Bregdetare, organizuar në stadiumin e kampusit të kësaj akademie në Ankara, Erdogani u ndal mbi korridorin terrorist që këta të fundit përpiqen të formojnë në Siri.

“Ne i thyem «këmbën perëndimore» korridorit terrorist; do ta prishim lojën e madhe kur t’ia thyejmë edhe «këmbën lindore»”, vlerësoi ai.

Kreu i shtetit turk rikujtoi se mëngjesin e së premtes realizoi një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin, me të cilin foli pikërisht për këto çështje, ndërsa njoftoi se javën e ardhshme të njëjtat tema do t’i diskutojë edhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ai vuri në pah se tashmë Turqia është në tavolinën e bisedimeve dhe se do ta vazhdojnë rrugën e tyre duke biseduar.

Erdogani u ndal gjithashtu mbi zhvillimet në Mesdheun Lindor.

“Ne jemi atje me 4 anije tonat, por në krah të 4 anijeve tona janë edhe fregatat e Forcave Detare të Turqisë. Po ashtu Forcat tona Ajrore janë vazhdimisht atje. Ne po i kryejmë aktivitetet tona atje dhe do t’i kryejmë deri në fund. Ne jemi angazhuar për të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve tanë në Qipron e Veriut dhe të drejtat tona atje, prandaj do të vazhdojmë të përparojmë në këtë rrugë”, u shpreh presidenti turk.

Erdogani theksoi mes të tjerash edhe se Turqia po bën përpjekje për të mbrojtur interesat e saj anembanë globit, nga Iraku në Siri, nga Mesdheu Lindor në Afrikën e Veriut dhe nga përtej Atlantikut e deri në Evropë.



Lajme të ngjashme