Çavusoglu në Liban, takime zyrtare me autoritetet e larta shtetërore

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, shkoi të premten në Liban për një sërë kontaktesh zyrtare.

Çavusoglu në Liban, takime zyrtare me autoritetet e larta shtetërore

Çavusoglu dhe delegacioni shoqërues u pritën në Aeroportin Ndërkombëtar “Rafic Hariri” të Bejrutit nga ambasadori i Turqisë në kryeqytetin libanez Hakam Çakil, drejtoresha e përgjithshme e Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Emigracionit të Libanit Najla Assaker dhe zyrtarë të tjerë.

“Jemi në Libanin miqësor për takime dypalëshe”, deklaroi shefi i diplomacisë turke përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Ai i nisi kontaktet e tij me autoritetet libaneze me Presidentin Michel Aoun, ndërsa më pas do të takohet me Kryetarin e Parlamentit Nabih Berri, Kryeministrin Saad Hariri, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Emigracionit Gebran Bassil dhe ministren e Punëve të Brendshme dhe Bashkive Raya el-Hassan.

Siç bën të ditur MPJ turke, agjenda e takimeve parashikon shqyrtimin e marrëdhënieve bilaterale Turqi-Liban dhe shkëmbimin e mendimeve në lidhje me çështjet rajonale.

Në kuadër të vizitës së tij në Liban, ministri Çavusoglu do të ketë gjithashtu një takim me qytetarët turq rezidentë në këtë vend.



Lajme të ngjashme