Çavusoglu: Do të bëjmë ç’të nevojitet për sigurinë e ushtarëve tanë në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të martën se Turqia do të bëjë çfarë të nevojitet për sigurinë e ushtarëve të saj në Siri.

Çavusoglu: Do të bëjmë ç’të nevojitet për sigurinë e ushtarëve tanë në Siri

Çavusoglu u prononcua rreth sulmit të së hënës ndaj autokolonës ushtarake turke në Siri, me pasojë vdekjen e 3 civilëve dhe plagosjen e 12 të tjerëve, gjatë një konference të përbashkët shtypi në Ankara me homologen nga Salvadori, Alexandra Hill.

“Ne s’kemi ndërmend që të transferojmë gjetkë Pikën e Vrojtimit Nr. 9; autoritetet tona po marrin masat e nevojshme”, u shpreh ai duke theksuar se janë në kontakt me zyrtarët rusë në të gjitha nivelet.

Shefi i diplomacisë turke bëri edhe një paralajmërim drejtuar regjimit të Bashar al-Assadit.

“Regjimi nuk duhet të luajë me zjarrin. Ne do të bëjmë ç’të nevojitet për sigurinë e ushtarëve tanë. Por urojmë që puna të mos shkojë deri në atë pikë. Ne duhet të përqendrohemi sa më parë që të jetë e mundur në procesin politik, sepse në shtator do të zhvillohet samiti i trefishtë (Turqi-Rusi-Iran)”, potencoi ministri Çavusoglu.

Kryediplomati turk u ndal gjithashtu mbi ecurinë e përgatitjeve për Qendrën e Përbashkët Operative lidhur me korridorin e paqes, i cili do të formohet në veri të Sirisë.

“Autoritetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të vijnë dhe përgatitjet po vijojnë. S’mund të themi se kemi rënë dakord mbi çdo gjë. Natyrisht që ne do të vazhdojmë negociatat për fushat në të cilat divergjojmë. Nëse nuk bëhet, ne kemi planin tonë për të hyrë atje. Direktiva e presidentit tonë të nderuar është e qartë”, tha Çavusoglu mes të tjerash.



Lajme të ngjashme