Çavusoglu në Sudan për nënshkrimin e Deklaratës Kushtetuese, takohet me krerët ushtarakë dhe civilë

Shefi i diplomacisë turke pati takime me krerët ushtarakë dhe civilë të Sudanit, ku po qëndron për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës Kushtetuese, e cila përmban rregullimet ligjore për Administratën Civile të Tranzicionit.

Çavusoglu në Sudan për nënshkrimin e Deklaratës Kushtetuese, takohet me krerët ushtarakë dhe civilë

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i cili po qëndron në kryeqytetin Hartum të Sudanit për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës Kushtetuese që përmban rregullimet ligjore për Administratën Civile të Tranzicionit, realizoi një takim me presidentin e Këshillit Ushtarak të Tranzicionit (TMC), gjeneralarmate Abdelfattah el-Burhan.

Takimi Çavusoglu-Burhan u zhvillua në Pallatin Presidencial të Sudanit, pa praninë e mediave.

Pas takimit në fjalë, shefi i diplomacisë turke u prononcua nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter”.

“Në takimin tonë me presidentin e Këshillit Ushtarak të Tranzicionit, Abdelfattah el-Burhan, ne përshëndetëm të gjitha palët sudaneze për maturinë e tyre gjatë procesit të formimit të Administratës Civile të Tranzicionit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë sudaneze dhe vëllezërit tanë sudanezë për stabilitetin dhe sigurinë e Sudanit”, shkroi ai.

Çavusoglu pati një takim gjithashtu me ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Sudanit, Omar Dahab Fadl Mohamed. Pasi e përshëndeti Mohamedin për marrëveshjen politike mes palëve, kryediplomati turk shprehu gatishmërinë e Ankarasë për të avancuar projektet e bashkëpunimit me qeverinë që do të formohet, si dhe potencoi se solidarësia me Sudanin miqësor e vëllazëror do të vazhdojë përgjithmonë.

Më pas Çavusoglu mori pjesë në një darkë të organizuar në rezidencën e Ambasadës së Turqisë në Hartum, ku të pranishëm ishin shumë biznesmenë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare nga të dyja vendet.

Ministri turk i Punëve të Jashtme do të marrë pjesë në ceremoninë e sotme të nënshkrimit të Deklaratës Kushtetuese, që përmban rregullimet ligjore për Administratën Civile të Tranzicionit në Sudan, marrëveshje e arritur ndërmjet Këshillit Ushtarak të Tranzicionit dhe koalicionit civil opozitar të quajtur Forcat për Liri dhe Ndryshim (FFC).



Lajme të ngjashme