Betohet ambasadori i ri i SHBA-së në Ankara, David Satterfield

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara, David Satterfield, u betua mbrëmjen e së mërkurës në Departamentin amerikan të Shtetit dhe filloi zyrtarisht misionin e tij në Turqi.

Betohet ambasadori i ri i SHBA-së në Ankara, David Satterfield

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, publikoi në rrjetin social “Twitter” një komunikatë me shkrim mbi ceremoninë e betimit të Satterfield.

“Të kënaqur që morëm pjesë në betimin e ambasadorit David Satterfield si diplomati ynë më i lartë në Turqi sot. Ambasadori Satterfield sjell njohuri dhe përvojë të pasur në punë dhe ne jemi me fat që ai do të përfaqësojë interesat amerikane në Ambasadën e SHBA-së në Ankara”, shkroi Pompeo në “Twitter”.

Administrata e Presidentit Donald Trump, e cila drejton Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2017, gjatë të njëjtit viti i dha fund misionit të ambasadorit John Bass në Turqi për ta emëruar atë ambasador në Afganistan. Që atëherë, SHBA-ja nuk kishte ambasador në Ankara.

Pas një viti e gjysmë, Trump njoftoi më 16 shkurt kandidaturën e Satterfield për postin e ambasadorit të SHBA-së në kryeqytetin turk.

Ndërsa më 28 qershor, Senati amerikan miratoi emërimin e diplomatit David Satterfield si ambasador në Ankara.

Kush është David Satterfield?

Ai spikat si një prej diplomatëve të karrierës me më shumë përvojë në Departamentin amerikan të Shtetit.

Lindur në Merilend, më 18 dhjetor 1954, Satterfield ka marrë pjesë në misione të ndryshme që nga viti 1980. Aktualisht ushtrues i detyrës së nënsekretarit të Shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt, ai ka marrë pjesë si vëzhgues i SHBA-së në Procesin e Astanës për Sirinë, një nismë e Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Satterfield ka shërbyer gjerësisht në Lindjen e Mesme duke përfshirë zonën e Gjirit Persik, Libanin, Irakun, Arabinë Saudite dhe Tunizinë. Ai më vonë ka qenë këshilltar i lartë për Irakun për sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice dhe drejtor i përgjithshëm i Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve, mision paqeruajtës në Gadishullin e Sinait nga qershori 2009 deri në gusht 2017. Ai ka shërbyer gjithashtu si i ngarkuar me punë në Egjipt nga gushti 2013 deri në janar 2014 dhe më pas si këshilltar special i sekretarit të Shtetit për Libinë.



Lajme të ngjashme