Çavusoglu nderohet me urdhrin më të lartë të Japonisë

Ministri i Jashtëm turk u nderua nga Perandori Naruhito i Japonisë me Urdhrin e Kordonit të Madh të Lindjes së Diellit, me motivacionin për “përpjekjet e tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimin e miqësisë ndërmjet Turqisë dhe Japonisë.

Çavusoglu nderohet me urdhrin më të lartë të Japonisë

Në ceremoninë e dorëzimit të urdhrit dhe çmimit, organizuar mbrëmjen e së enjtes në Kompleksin Presidencial në Ankara, krahas ndihmëspresidentit Fuat Oktay, ambasadorit të Japonisë në Turqi Akio Miyajima dhe ambasadorëve turq me mision brenda e jashtë shtetit, të cilët po qëndrojnë aktualisht në kryeqytetin turk me rastin e Konferencës XI të Ambasadorëve, të pranishëm ishin gjithashtu shumë ambasadorë të huaj.

Oktay tha gjatë fjalës së rastit në ceremoni se vlerësimi nga perandori japonez me këtë urdhër për ministrin Çavusoglu, i cili ka ofruar kontribut të çmuar për zhvillimin e marrëdhënieve turko-japoneze dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve, është një nder i madh për Turqinë.

Kurse shefi i diplomacisë turke e nisi fjalën e tij me përshëndetjen “mirëmbrëma” në japonisht.

“Në emër të vendit dhe qeverisë sime, ndihem shumë krenar që jam vlerësuar i denjë për Urdhrin e Kordonit të Madh të Lindjes së Diellit (Grand Cordon of the Order of Rising Sun), më i larti i Japonisë. Unë do të doja të përfitoj nga ky rast për të falënderuar Madhërinë e Tij, Perandorin Japonez”, u shpreh Çavusoglu.

Ai theksoi se ky çmim domethënës është një manifestim i ri i lidhjeve miqësore ndërmjet turqve dhe japonezëve, popuj që kanë ngritur dy qytetërime në gjendje t’i sjellin kulturat e tyre tradicionale deri në të sotmen dhe po ashtu të modernizohen duke vendosur familjen në qendër.

“Edhe pse jetojmë në dy skajet e Azisë, lidhjet tona shpirtërore janë shumë të forta dhe të lashta. Mbështetja jonë për njëri-tjetrin në periudha të vështira është manifestimi i këtij uniteti të zemrave”, shtoi kryediplomati turk.

Pasi tërhoqi vëmendjen se vullneti i fuqishëm për të avancuar edhe më tej marrëdhëniet turko-japoneze u konfirmua gjatë kontakteve bilaterale që Presidenti Recep Tayyip Erdogan realizoi në Osakë, pas Samitit të G20-s, Çavusoglu nënvizoi se aktivitetet në kuadër të “Vitit të Kulturës Turke” që festohet këtë vit në Japoni, janë duke ofruar kontribut të rëndësishëm në konsolidimin e lidhjeve kulturore mes dy popujve e vendeve.

Duke uruar që epoka e re perandorake e quajtur “Reiwa” (Harmoni e Bukur), e cila filloi me ngjitjen e Naruhitos në fronin e Japonisë, të sjellë lumturi dhe mirëqenie për popullin japonez dhe të gjithë njerëzit anembanë botës, ministri i Jashtëm turk falënderoi Perandorin Naruhito, qeverinë dhe popullin e Japonisë për nderimin e tij me këtë urdhër të lartë.

Ceremonia përfundoi me koncertin “Udhëtim me Muzikë Turke nga Perëndimi në Lindje”.



Lajme të ngjashme