Oktay: Turqia do të vazhdojë me vendosmëri aktivitetet e sondimit

Ndihmëspresidenti Fuat Oktay deklaroi të dielën se Turqia do të vazhdojë me vendosmëri aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në platformën kontinentale të saj në dete.

Oktay: Turqia do të vazhdojë me vendosmëri aktivitetet e sondimit

“Çdo pëllëmbë e tokës tonë është e çmuar për ne, sikurse dhe çdo pikë e detit tonë është e çmuar dhe e domosdoshme”, tha Fuat Oktay gjatë ceremonisë së zbritjes në det të anijes shpëtuese multifunksionale të quajtur “Gemi Kurtaran”, në qytetin bregdetar Girne të Republikës Turke të Qipros së Veriut.

“Rimorkiatori ‘Gemi Kurtaran’ do të ndërhyjë në aksidentet e mundshme detare në Mesdhe dhe do të kontribuojë në parandalimin e ndotjes detare nga tani e tutje”, shtoi Oktay.

Ai vuri në pah se zhvillimet në rajon dhe ekuilibri i sigurisë që ndryshon me shpejtësi në zonën detare, kanë bërë të nevojshme që Turqia të avancojë fuqinë parandaluese të marinës së saj në nivele të mëtejshme.

Sipas tij, Turqia ka mbrojtur gjithmonë Mesdheun Lindor si një det të paqes, andaj edhe burimet natyrore duhet të nxirren dhe të ndahen në mënyrë të drejtë.

“Ata që synojnë të kufizojnë platformën kontinentale të Turqisë me gjirin e Antalisë duhet ta dinë se ne do të vazhdojmë me vendosmëri të kryejmë aktivitetet tona të kërkimit dhe shpimit. Vendi ynë do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e veta dhe të drejtat e turqve qipriotë në mënyrën më të fuqishme, sikurse ka bërë edhe më parë”, u shpreh ndihmëspresidenti Oktay.



Lajme të ngjashme