Asnjë qeveri evropiane s’do të rezistonte më shumë se 6 muaj pa luftën e Turqisë kundër emigracionit

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Suleyman Soylu, deklaroi të shtunën në mbrëmje se asnjë qeveri evropiane s’do të rezistonte më shumë se 6 muaj nëse Turqia nuk do të luftonte me vendosmëri kundër emigracionit klandestin.

Asnjë qeveri evropiane s’do të rezistonte më shumë se 6 muaj pa luftën e Turqisë kundër emigracionit

Gjatë fjalës së rastit në darkën me ekuipazhin e anijes “TCSG Dost” të Komandës së Rojës Bregdetare të Izmirit, ministri Soylu tha se personeli i Rojës Bregdetare Turke realizon misione të shkallës botërore.

Duke tërhequr vëmendjen se e tërë bota po dëshmon tragjedi të shumta në lidhje me emigracionin klandestin, Soylu potencoi se Turqia po lufton seriozisht me këtë fenomen.

Ai sqaroi se një pjesë e njerëzve të Lindjes së Mesme, të cilët duan të shkojnë në Evropë, i paguajnë haraç organizatës terroriste DAESH dhe një pjesë tjetër organizatës separatiste terroriste PKK.

“Ne do t’u japim ndëshkimet më të rënda historike atyre që duan ta kthejnë Turqinë në qendër të emigracionit klandestin. Po hyjmë në një periudhë, në të cilën organizatorët dhe trafikantët e qenieve njerëzore s’do t’i lejojmë as që të marrin frymë”, theksoi ministri turk i Punëve të Brendshme.

Soylu vuri në pah gjithashtu se Evropa e ka lënë vetëm Turqinë për sa i takon luftës kundër emigracionit të parregullt.

“Kjo punë nuk bëhet duke na fërkuar kurrizin. Asnjë qeveri evropiane s’do të rezistonte më shumë se 6 muaj nëse Turqia nuk do të luftonte me vendosmëri kundër emigracionit klandestin. Po deshën, le ta provojmë”, u shpreh ai.

“Ju uleni në Parlamentin Evropian dhe që andej kritikoni Turqinë. Doni të realizoni majtizmin e 300 viteve më parë, por ju zë paniku ku vijnë 150 emigrantë. Ju ofendoni Turqinë që andej (PE). Ne vetëm po ju këshillojmë që të mos na e sosni durimin, pasi ne e shohim rrebeshin dhe jua themi. Përveshni mëngët dhe mbështetni përpjekjet e Turqisë. Askush të mos e perceptojë këtë si kërcënim. Turqia nuk është një vend që mund të sorollatet. Turqia po bën përpjekje të mëdha. Ne po ballafaqohemi me valën më të madhe historike të emigracionit. Kur t’i hapim portat që këtu, asnjë qeveri evropiane nuk mund të rezistojë më shumë se 6 muaj”, tha ministri Soylu mes të tjerash.



Lajme të ngjashme