Çavusoglu: Mbrojtja e statusit të Jerusalemit është përgjegjësi historike

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se përpjekjet për të mbrojtur dhe ruajtur statusin e Jerusalemit janë një përgjegjësi ndaj ymetit dhe historisë.

Çavusoglu: Mbrojtja e statusit të Jerusalemit është përgjegjësi historike

Kryediplomati turk mbajti një fjalim në takimin e jashtëzakonshëm të hapur të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), me temë “Shkeljet e Izraelit në Jerusalem”, në qytetin Xhidë të Arabisë Saudite.

Duke tërhequr vëmendjen se çështja palestineze po ballafaqohet me vështirësi komplekse, Çavusoglu theksoi se statusi ligjor dhe historik i Jerusalemit është i kërcënuar më shumë se kurrë më parë.

Sipas tij, Izraeli po tenton të rishkruajë historinë dhe po ndërmerr hapa për të shkatërruar trashëgiminë islame, natyrën dhe demografinë e qytetit duke u bërë më i ashpër në terren.

“Përhapja e vendbanimeve të paligjshme në territoret palestineze, përfshi këtu Jerusalemin dhe Bregun Perëndimor, po vazhdon. Ky është një hap i vetëdijshëm për të minuar zgjidhjen me dy shtete”, theksoi ai.

Çavusoglu vuri në pah se disa politikanë izraelitë kërkojnë që të bëhen shtesa në njësitë e jashtëligjshme të banimit në Bregun Perëndimor.

“Qeveria izraelite po bën tentativa për të shkatërruar natyrën e Qytetit të Vjetër të Jerusalemit duke shtuar njësitë e banimit dhe intensifikuar gërmimet. Ajo gjithashtu po përpiqet të shkatërrojë karakterin dhe trashëgiminë islame të qytetit, si dhe të ndryshojë demografinë e tij për të siguruar epërsinë e hebrenjve”, tha shefi i diplomacisë turke duke potencuar se punimet rrënuese për ndërtimin e tunelit, të cilat vazhdojnë për të hapur të ashtuquajturën “rruga e pelegrinazhit”, janë shembulli i fundit i këtyre përpjekjeve.

Ai sqaroi edhe se pushtimi izraelit pengon zhvillimin ekonomiko-social të palestinezëve.

“Palestinezët në Jerusalem përballen me sulme të përditshme dhe urdhra evakuimi në lagjet e tyre. Statusit të tyre të rezidencës iu dha fund me një shkelje të normave ndërkombëtare. Atyre iu minuan të gjitha kushtet e jetesës”, nënvizoi Çavusoglu.

Ministri turk i Punëve të Jashtme tha se Jerusalemi duhet të jetë qytet i paqes dhe harmonisë, jo i dhunës dhe provokimit.

“Kauza e Palestinës dhe Jerusalemit do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së OBI-t. Ne duhet të jemi të vendosur në mbrojtjen dhe ruajtjen e statusit të kiblesë sonë të parë. Kjo është përgjegjësi e jona karshi ymetit dhe historisë”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme