Ankaraja: Konkluzionet e BE-së pa efekt mbi vendosmërinë e Turqisë për aktivitete në Mesdheun Lindor

Turqia njoftoi mëngjesin e së martës se vendimet e Bashkimit Evropian nuk do të kenë efekt mbi vendosmërinë e saj për të vijuar aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.

Ankaraja: Konkluzionet e BE-së pa efekt mbi vendosmërinë e Turqisë për aktivitete në Mesdheun Lindor

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë lëshoi një komunikatë të shkruar lidhur me konkluzionet e miratuara nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së gjatë një takimi të kryediplomatëve të shteteve anëtare, mbajtur të hënën në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës.

“Përfundimet e miratuara dje (15 korrik) nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së nuk do të ndikojnë në asnjë mënyrë mbi vendosmërinë e Turqisë për të vazhduar aktivitetet e saj për hidrokarbure në Mesdheun Lindor.

Këto përfundime tregojnë se sa paragjykuese dhe e njëanshme është BE-ja në lidhje me Qipron, pasi nuk bëjnë asnjë referencë ndaj turqve qipriotë, të cilët kanë të drejta të barabarta mbi burimet natyrore të Ishullit, duke shpërfillur plotësisht e ekzistencën e tyre në Qipro.

Konkluzionet në fjalë janë shembujt e fundit se si dyshja grekoqipriote/greke abuzon me anëtarësitë e tyre në BE për hir të pozicioneve të tyre maksimaliste dhe se si shtetet e tjera anëtare të BE-së bëhen vegël e këtij synimi.

Siç kemi theksuar vazhdimisht edhe në të kaluarën, aktivitetet tona për hidrokarbure në Mesdheun Lindor kanë dy dimensione: Mbrojtjen e të drejtave tona në platformën tonë kontinentale dhe mbrojtjen e të drejtave të barabarta të turqve qipriotë, të cilët janë bashkëpronarë të Ishullit , mbi burimet e hidrokarbureve të Qipros.

Në kuadër të dimensionit të parë, është e pamundur që Turqia të fillojë bisedimet me Administratën Greke të Qipros së Jugut (AGQJ) për të përcaktuar zonat e juridiksionit detar përpara zgjidhjes së çështjes së Qipros. Sepse e ashtuquajtura Republika e Qipros nuk është një shtet i vërtetë në sytë e Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), pasi nuk i përfaqëson turkoqipriotët që nga viti 1963. Republika e Qipros, e cila u themelua mbi barazinë politike të turqve qipriotë dhe grekëve qipriotë pushoi së ekzistuari në vitin 1963. Arsyeja pse çështja e Qipros ka mbetur e pazgjidhur deri më sot është refuzimi i barazisë politike të turkoqipriotëve nga grekoqipriotët që nga viti 1963. Bashkëbiseduesja e Administratës Greke të Qipros së Jugut është RTQV-ja, jo Turqia. Nuk është e mundur që BE-ja të kuptojë dhe të japë një kontribut konstruktiv ndaj çështjes së Qipros derisa t’i pranojë këto fakte dhe t’i konsiderojë turqit qipriotë jo si minoritet, por si bashkëpronarë të Ishullit.

Sa i përket dimensionit të dytë, zgjidhja është e mundur vetëm nëse garantohen të drejtat e turkoqipriotëve. Në këtë kontekst, propozimi për bashkëpunim gjithëpërfshirës, i cili u bë më 13 korrik 2019 nga turkoqipriotët dhe që gjithashtu mbështetet plotësisht nga vendi ynë, është një shans i rëndësishëm për zgjidhjen.

Preferenca e BE-së për të marrë vendime kundër Turqisë, në vend që ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe të inkurajojë të dyja palët që të bëhen bashkë në Ishull për burimet e hidrokarbureve, është një sjellje joefektive, joreale dhe jokonstruktive.

Vendi ynë do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat e veta dhe të drejtat e turqve qipriotë, si dhe do të rrisë më tej aktivitetet e tijj për këtë qëllim. BE-ja, e cila nuk i mban premtimet që u bën turkoqipriotëve  që nga 26 prilli 2004, nuk ka as edhe një fjalë për të na thënë në këtë drejtim.

Shumë domethënëse është gjithashtu se këto vendime u morën në një ditë shumë të rëndësishme për popullin turk, në përvjetorin e tretë të përpjekjes së urryer për grushtshteti të 15 Korrikut”, thuhet në komunikatën e MPJ turke lidhur me konkluzionet e miratuara të hënën nga Këshilli i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian publikoi një deklaratë përfundimtare në kuadër të takimit të djeshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.

Në këtë deklaratë, ku mbrohet ideja se aktivitetet e vazhdueshme dhe të reja të Turqisë për hidrokarbure në Mesdheun Lindor janë të jashtëligjshme, theksohet se për momentin do të pezullohen bisedimet për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Transportit Ajror dhe nuk do të mbahen takimet e Këshillit të Asociimit dhe të tjerat e dialogut të nivelit të lartë BE-Turqi.



Lajme të ngjashme