Zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit, ja ku votuan liderët e vendit

Liderët politikë të Turqisë ushtruan sot të drejtën e votës në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Stambollit.

Zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit, ja ku votuan liderët e vendit

Stambolli voton sot (23 qershor) për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë Metropolitane për pesë vitet e ardhshme.

Në këto zgjedhje garojnë kandidati Binali Yildirim i Aleancës Popullore të formuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP); kandidati Ekrem Imamoglu i Aleancës Kombëtare të formuar nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia IYI; kandidati i Partisë Lumturia (SP), Necdet Gokçinar dhe kandidati i Partisë Vatan (VP), Mustafa Ilker Yucel.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan votoi në lagjen Kisikli të komunës Uskudar.

“Votuesit e Stambollit do të japin vendimin më të qëlluar për Stambollin”, deklaroi kreu i shtetit turk, i cili shkoi për të votuar së bashku me bashkëshorten Emine Erdogan, ministrin e Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak dhe bashkëshorten e tij, Esra Albayrak.

Në komunën Uskudar votoi gjithashtu Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Sentop.

“Qoftë në të mirë të vendit dhe kombit tonë”, tha ai.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, e dha votën në komunën Gaziosmanpasa.

“Turqia në njërën anë bën zgjedhje dhe në anën tjetër vazhdon me sukses luftën kundër terrorizmit”, u shpreh Soylu.

Kryetarja e Partisë IYI, Meral Aksener, votoi në komunën Beylerbeyi. Ajo uroi që këto zgjedhje “të jenë në të mirën e të gjithëve”.

Binali Yildirim, kandidat i Aleancës Popullore për kreun e Bashkisë Metropolitane të Stambollit, e ushtroi të drejtën e votës në komunën Tuzla.

“Zgjedhjet janë një shans i rëndësishëm për të jetësuar përvojat që kemi fituar në mbarë vendin deri më tani, për ta bërë Stambollin një qytet botëror. Qofshin këto zgjedhje të mbara për Stambollin dhe vendin tonë", Vendimi i popullit qëndron mbi gjithçka”, tha Yildirim.

Ndërsa kandidati i Aleancës Kombëtare për kreun e Bashkisë Metropolitane të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i shoqëruar nga bashkëshortja Dilek Imamoglu dhe i biri Mehmet Selim Imamoglu, votoi në komunën Beylikduzu.

“Populli ynë do të japë vendimin më të drejtë në emër të demokracisë sonë, Stambollit tonë dhe legjitimitetit të të gjitha zgjedhjeve të atdheut tonë në të ardhmen”, deklaroi ai.



Lajme të ngjashme