Anija e dytë e sondazheve “Yavuz” niset për në Detin Mesdhe

Anija “Yavuz” është anija e dytë e Turqisë për sondazhe në thellësi të mëdha pas anijes “Fatih”.

Anija e dytë e sondazheve “Yavuz” niset për në Detin Mesdhe

Ndërkohë që anija e sondazheve për naftë dhe gaz natyror “Fatih” po vazhdon me punime në Mesdheun Lindor, anija “Yavuz”, e cila ishte ankoruar për një kohë në portin detar në nënprefekturën Dilova të Koxhaelit (Kocaeli), të enjten u nis për të filluar me punime të sondazhit në rajonin e njëjtë.

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyore, Fatih Dënmez (Dönmez) mori pjesë në programin e organizuar me rastin e përcjelljes së anijes “Yavuz”.

Në fjalën e tij ministri Dënmez tha se “Pjesa greke e Qipros nuk mund të marrë vendim dhe nuk ka të drejtë fjale për çështjet në interes të gjithë ishullit”.

Edhe ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Allbajrak (Albayrak) u prononcua në lidhje me anijen “Yavuz”.

Në mesazhin e postuar në llogarinë e tij në Twitter, ministri Allbajrak tha se “Vazhdojmë të hedhim të gjitha hapat e nevojshme për interesat e vendit dhe kombit tonë. Pas anijes ‘Fatih’ edhe anija e dytë e sondazheve ‘Yavuz’ sot po niset për në Detin Mesdhe”.

Anija “Yavuz” është anija e dytë e Turqisë për sondazhe në thellësi të mëdha pas anijes “Fatih”.

Në botë janë 16 anije të këtij lloji dhe dy prej tyre janë të Turqisë.

Gjatësia e anijes që ka kapacitet të bërjes së sondazheve në thellësi 12 mijë e 200 metra është 229,6 metra, gjerësia është 36 metra, ndërsa lartësia e kullës së sondazhit është 130 metra.

Anija “Yavuz” ofron rehati për punonjësit në hapësirat e jetesës.

Brenda anijes ndodhen salla e kinemasë, salla e sporteve dhe dhoma të pushimit si dhe një spital i vogël me 4 shtretër me mjek me orar të plotë.

Anija më herët ka qenë e angazhuar me detyrë në vende të ndryshe të botës me në krye Tanzaninë, Keninë, Malajzinë dhe Filipinet.

Në saje të sistemit “Dynamic Positioning” anija mund të vazhdojë me punimet e sondazhit edhe në det me dallga që arrijnë lartësinë deri në 6 metra, ndërkaq veçoritë teknike të anijes janë të njëjta me atë të anijes “Fatih”.

 


Lajme të ngjashme