Turizmi në Turqi – Gaziantepi

Një qytet turk i vendosur në zonën e Anadollit Juglindor, Gaziantepi ka në gjirin e tij shumë vepra që do të tërheqin interesin e të pasionuarve të historisë dhe kulturës.

1220091
Turizmi në Turqi – Gaziantepi

Turizmi në Turqi – Gaziantepi

Sot do të flasim për Gaziantepin, një qytet turk i vendosur në zonën e Anadollit Juglindor. Ai ka në gjirin e tij shumë vepra që do të tërheqin interesin e të pasionuarve të historisë dhe kulturës.

Gaziantepi ka qenë gjatë të gjithë historisë një qendër e rëndësishme për çdo shtet të themeluar në Anadoll. Ai ka qenë një qytet kufitar në kohën e Perandorisë Romake. Por kur ajo u nda në dy pjesë në vitin 395, ky qytet mbeti në Romën Lindore. Me fillimin e përhapjes së Islamit, Gaziantepi hyri në kontrollin e abasidëve.

Në vitin 1067, qyteti dhe rrethinat e tij u përfshinë në kufijtë e Shtetit Selxhuk të Anadollit duke hyrë kështu nën sovranitetin turk. Ai u pushtua nga mongolët në shekullin XIII dhe u çlirua pak vite më vonë nga Sulltanati Mamluk. Megjithatë stabiliteti në këtë zonë u vendos vetëm pas ardhjes së administratës osmane. Edhe pse u pushtua sërish pas Luftës I Botërore, Gaziantepi mbeti territor turk falë përpjekjeve heroike të vetë banorëve të qytetit.

Qyteti i Gaziantepit ka një histori ku qytetërimet dhe kulturat e ndryshme bashkohen dhe sintetizojnë njëra-tjetrën. Atje mund të shohësh gjurmët dhe veprat e shoqërive që jetojnë në këtë zonë që nga kohërat e lashta. Duke qenë se ndodhet mbi Rrugën e Mëndafshit, Gaziantepi ka qenë një vendmbërritje e preferuar e qytetërimeve dhe ka ruajtur statusin e tij si qendër kulturore e tregtare në çdo periudhë. Larmia e monumenteve historike në Gaziantep është një tregues i pasurisë kulturore të qytetit.

Kalatë renditen në krye të listës së vendeve që duhen vizituar patjetër në këtë qytet. Kalaja e Gaziantepit, ndërtimi i së cilës ka nisur në shekullin II, është një prej fortesave më madhështore të Anadollit. Brenda kufijve administrativë të këtij qarku ndodhen gjithashtu kështjellat qindravjeçare Araban, Rumkale dhe Tilbasar.

Në komunën Araban të Gaziantepit gjenden tri varre monumentale romake, të cilat paraqesin shembuj unikë për arkitekturën e varreve monumentale të Anadollit.

Gjatë periudhës osmane, kishat që u shërbenin banorëve jomyslimanë të qytetit, kishin misione të rëndësishme në përcaktimin e karakterit të qytetit jo vepër për efektin tubues në varësi të funksioneve të tyre, por edhe për vendndodhjen e tyre. Kisha Kendirli, Kisha e Shën-Bedrosit dhe Kisha e Nizip Fevkanit janë vetëm disa nga kishat në qytet.

Kurse xhamitë më të rëndësishme të Gaziantepit janë ato të Ali Naxharit dhe Omerijes – ndërtuar në fillim të viteve 1200, Xhamia dhe Kompleksi i Sheh Fet’hullahut dhe Xhamia Ejupoglu – të cilat i përkasin shekullit XVI, si dhe Xhamia e Allajbeut, Xhamia e Shirvanit dhe Xhamia Kurtulush – ndërtuar në shekullin XVII.

Në Gaziantep ka edhe shumë hane me rëndësi të madhe në aspektin e arkitekturës civile të periudhës selxhuke dhe osmane. Hanet Hishja, Anadolu, Bajaz, Budejri, Bugday, Gumruk, Sheker, Tuz dhe Tutun kanë pritur për qindra vite me radhë karvanët tregtarë dhe udhëtarët duke u ofruar atyre akomodim të rehatshëm dhe të sigurt. Gjithashtu ato kanë shërbyer si qendra tregtare ku shkëmbeheshin mallrat që vinin nga vende të largëta.

Shembuj të rëndësishëm të arkitekturës osmane në Gaziantep janë edhe hamamet, një pjesë e të cilave përdoren ende sot e kësaj dite.

Mes vendeve që duhet të vizitohen patjetër në Gaziantep është po ashtu Qyteti Antik i Zeugmës, vetëm 10 km larg qendrës së komunës Nizip. Themeluar rreth vitin 300 p.e.s. nga Seleuku I Nikatori, një prej diadokëve dhe gjeneralëve të mëdhenj të Lekës së Madh, Zeugma ka qenë ndër qendrat artistike më të avancuara të asaj periudhe. Mozaikët që zbukurojnë ndërtesat e këtij qyteti të lashtë, janë pothuajse që të gjithë unikë dhe janë zbuluar vetëm në një pjesë të vogël që është arritur të gërmohet në këtë qytet. Ata bëjnë që Zeugma të njihet botërisht si qyteti i mozaikëve.

Veprat e zhvarrosura nga rrënojat e qytetit antik në fjalë ekspozohen sot në Muzeun e Mozaikëve të Zeugmës, i cili renditet në mesin e muzeve më të rëndësishëm të botës. Mozaiku më i famshëm që ekspozohet në këtë muze është ai i emërtuar “Vajza Cigane”.

Me gjithë këto veçori, Gaziantepi pret çdo vit qindra-mijëra turistë vendas dhe të huaj. Nëse shkoi atje, ju sugjerojmë të shëtisni Shtëpitë Historike të Antepit – të cilat tashmë janë restauruar të gjitha; të blini nga produktet artizanale të argjendarisë tradicionale të krahinës; si dhe të shijoni kafenë e veçantë të menengiçit.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme