Erdogan: Mbrojtja e burimeve natyrore është e mundur me bashkëpunimin e gjithë njerëzimit

Presidenti Erdoğan bëri të ditur se mbrojtja e deteve, oqeaneve, burimeve nëntokësore dhe sipërfaqësore të ujit, lufta kundër shkretëtirëzimit dhe ndryshimeve klimaterike të lidhura me ngrohjen globale janë të mundura me bashkëpunimin e tërë njerëzimit.

Erdogan: Mbrojtja e burimeve natyrore është e mundur me bashkëpunimin e gjithë njerëzimit

Presidenti, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) bëri të ditur se mbrojtja e deteve, oqeaneve, burimeve nëntokësore dhe sipërfaqësore të ujit, lufta kundër shkretëtirëzimit dhe ndryshimeve klimaterike të lidhura me ngrohjen globale janë të mundura me bashkëpunimin e tërë njerëzimit.

Në aktivitetin e organizuar në sallën e kongreseve të Dhomës Tregtare të Ankaras (ATO) “Congresium” me rastin e “Ditës Botërore Kundër Shkretëtirëzimit” u lexua edhe mesazhi i Presidentit Erdoan.

Në mesazhin e tij Presidenti Erdoan thotë se “Bota është duke luftuar kundër fatkeqësive serioze të mjedisit si ngrohja globale, thatësira, mungesa e ujit, shkretëtirëzimi, zvogëlimi i diversitetit biologjik dhe me zhdukjen e disa gjallesave”, ndërsa shtoi se tërë njerëzimi duhet të bashkëpunojë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Erdoan në mesazhin e tij thekson se Turqia është një vend mjaft i pasur nga aspekti i diversitetit ekologjik dhe i pasurive natyrore, ndërsa vijon me këto fjalë: “Ne do të punojmë me tërë fuqinë dhe mundësitë tona për të njohur vlerën e kësaj pasurie dhe trashëgimie dhe për ta zhvilluar edhe më shumë që këtë pasuri ta përcjellim gjeneratave të ardhshme”.

Edhe ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli në fjalën e tij tha se shkretëtirëzimi është një dukuri që kërcënon botën dhe që vjen duke u rritur çdo ditë e më shumë dhe që është më i rrezikshëm se luftërat.

Ministri Pakdemirli gjithashtu tha se në Turqi çdo vit trajnohen rreth 50 ekspertë nga 100 vende të ndryshme të botës në çështjen e luftës kundër kësaj dukurie.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës për Luftën Kundër Shkretëtirëzimit dhe Erozioneve (ÇEM), Ahmet Ipek tha se lufta kundër këtyre dukurive në nivel global tani është bërë e detyrueshme.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres nëpërmjet një videomesazhi ka thënë se “Duke e mbrojtur, zbutur dhe përdorur më mirë tokën do të mund të ulim migrimet e detyrueshme, do të rrisim sigurinë e ushqimit dhe do ta nxisim rritjen ekonomike”.



Lajme të ngjashme