Majdalani: Të kënaqur me qëndrimin e Turqisë për çështjen palestineze

Organizata Çlirimtare e Palestinës është shprehur të mërkurën e kënaqur me qëndrimin e Turqisë për çështjen palestineze.

Majdalani: Të kënaqur me qëndrimin e Turqisë për çështjen palestineze

Ahmed Majdalani, sekretar i përgjithshëm i Frontit të Luftës Popullore Palestineze dhe njëherësh anëtar i lartë i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës Çlirimtare të Palestinës (OÇP), ka përshëndetur të mërkurën rolin e Turqisë dhe qëndrimin mbështetës të saj për popullin palestinez kundër sulmeve të vazhdueshme izraelite.

Majdalani është takuar në Ramallah me të ngarkuarin e përkohshëm me punë të Turqisë në Konsullatën e Përgjithshme në Jerusalem, Aykut Renda, njoftoi Zyra e OÇP-së përmes një komunikate të shkruar.

“Nëpërmjet qëndrimit të Turqisë, shprehur nga ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavusoglu gjatë Samitit XIV të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në fillimit të muajit qershor, është potencuar thellësia e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe konsolidimi i këtyre marrëdhënieve”, ka thënë zyrtari palestinez gjatë takimit në fjalë.

“Jemi të kënaqur me qëndrimin e Turqisë për çështjen palestineze”, ka shtuar ai.

Duke u ndalur gjithashtu mbi konferencën ekonomike që do të organizohet në fund të këtij muaji në Bahrejn, Majdalani ka tërhequr vëmendjen se administrata palestineze po bën përpjekjet e nevojshme dhe është në kontakt të vazhdueshëm me organet arabe e ndërkombëtare për të vënë nën garanci mospjesëmarrjen e tyre në këtë konferencë.

Kurse i ngarkuari i përkohshëm me punë i Turqisë në Konsullatën e Përgjithshme në Jerusalem, Renda, duke folur për qëndrimin e Ankarasë në mbështetje të së drejtave legjitime të Palestinës, vuri në pah se po vazhdojnë vrullshëm përpjekjet që vendi i tij po bën me shtetet myslimane për të siguruar mbështetje për çështjen palestineze.

Gjatë takimit të tij me zyrtarin palestinez, diplomati turk theksoi gjithashtu se nuk mund të pranohet asnjë marrëveshje tjetër përveç vendimeve të ligjshme ndërkombëtare.

Konferenca e përbashkët që do të mbahet në kryeqytetin Manamë të Bahrejnit, thuhet se është organizimi i parë në kuadër të planit amerikan të ashtuquajtur “Marrëveshja e Shekullit”, detajet e të cilit nuk dihet ende se kur do të qartësohen, për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.



Lajme të ngjashme