Turizmi në Turqi – Rize

Një qytet i këndshëm turk në brigjet lindore të Detit të Zi, Rizeja është e famshme për bjeshkët e saj me bukuri të pashoqe, për pyjet me lloje pemësh e bimësh nga më të ndryshmet, për lumenjtë, luginat, malet dhe liqenet akullnajore.

1212269
Turizmi në Turqi – Rize

Turizmi në Turqi – Rize

Sot do të flasim për Rizenë, një qytet i këndshëm turk në brigjet lindore të Detit të Zi. Tipari më i rëndësishëm i tij është natyra me gjelbërim të harlisur.

Rizeja është e famshme për bjeshkët e saj me bukuri të pashoqe, për pyjet me lloje pemësh e bimësh nga më të ndryshmet, për lumenjtë, luginat, malet dhe liqenet akullnajore. Qyteti ka shumë pasuri natyrore, por nuk i mungojnë as ato kulturore dhe historike.

Qyteti i Rizesë është ndërtuar mbi një terren mjaft të pjerrët ndërmjet maleve Kaçkar dhe Detit të Zi, në Anadollin Verilindor. Bimësia natyrore e kësaj zone përbëhet nga pyje të përzier gjethegjerë për shkak të lagështirës së lartë dhe reshjeve të shumta në bregdet. Ajo ka 25 për qind të pyjeve të Turqisë dhe në këtë aspekt është krahina më e pasur e vendit.

Ayder, Anzer, Ovit, Pokut, Sal, Gito, Elevit dhe Çiçekli janë emrat e bjeshkëve më të famshme të Rizesë. Në disa nga këto bjeshkë vazhdojnë ende sot aktivitetet blegtorale e bujqësore dhe shumica e tyre janë të hapura për turizëm. Këto bjeshkë në malet Kaçkar ju mirëpresin me shtëpitë e tyre autentike dhe shumë të këndshme malore, me dhjetëra lloje bimësh dhe pemësh. Banesat në shumicën e bjeshkëve të Rizesë shfrytëzohen si motele për turizëm shtëpiak. Zona ofron mundësi të shumta për të pasionuarit e alpinizmit dhe ecjes në natyrë.

Nëse shkoni atje në sezonin e duhur, sidomos në pranverë ose në fillim të verës, ju mund të deheni nga parfumi që dhjetëra lule përhapin në livadhe.

Bjeshkët e Rizesë, jashtëzakonisht të pasura në aspektin e florës dhe faunës, fshehin edhe shumë liqene akullnajore të përmasave të ndryshme, por me bukuri që vlen të shikohen nga të gjithë. Secila nga këto bjeshkë ofron mundësi të ndryshme për kureshtarët. Burimet termale në bjeshkën Ayder, për shembull, ofrojnë shërim për vizitorët.

Në bjeshkën Ayder, krahas shtëpive autentike të shndërruara në bujtina, do të gjeni edhe shansin për akomodim në hotel, diçka që u mungon simotrave të tjera.

Kurse në bjeshkën Anzer, 2.100 m mbi nivelin e detit, do të gjeni mjaltin me famë botërore të Anzerit, një burim shërimi i vërtetë. Mjalti i Anzerit, i cili ka dobi të shumta për shëndetin e njeriut, është esencë e mijëra llojeve të luleve në këto bjeshkë. Me drunjtë që marrin tone të ndryshme të së gjelbrës në pranverë, të së verdhës në verë dhe portokallies e të së kuqes në vjeshtë, përpara se të rrëzojnë fletët në dimër, bjeshka Anzer tërheq veçanërisht të pasionuarit e ecjes në natyrë dhe fotografisë.

Disa bjeshkë të tjera ofrojnë mundësi për sportet dimërore në përgjithësi dhe sidomos për paraglajding, një prej sporteve ekstreme më të popullarizuara në botë.

Jeta natyrore vazhdon me gjithë bukurinë e saj edhe në përroin e Furtunës, i cili formohet nga rrëketë e vogla që zbresin nga shpatet e maleve Kaçkar, në Ardesen të Rizesë. Për shembull, në këtë përrua ka ende troftë pikaloshe, një specie e zhdukur në shumë vende të tjera. I gjatë 57 km, përroi i Furtunës është vende-vende i përshtatshëm edhe për rafting.

Rizeja ka gjithashtu edhe shumë kështjella të ndërtuara kryesisht në shekujt XIII dhe XIV. Më e famshmja nga këto fortesa, të cilat janë ngritur për mbrojtje, komunikim, vrojtim dhe si repart ushtarak, është Kalaja Zil. Kështjella në fjalë, pamja e së cilës ju shpie në Mesjetë, garantonte jo vetëm sigurinë e krahinës, por edhe të një rruge të rëndësishme mesjetare që shpine karvanët tregtarë në Anadoll.

Nëse shkoni në Rize, ju sugjerojmë të mos ktheheni pa u ngjitur në bjeshkët e pasura me oksigjen, pa parë muzeun me një koleksion të pasur, pa fotografuar urat me harqe nga shekujt e kaluar, pa shijuar pilafin dhe bukën me açugë (lloj peshku), pa pirë çajin e famshëm të Rizesë dhe pa blerë të paktën një feretiko, qëndismë tradicionale e zonës.

Qyteti i Rizesë ju pret me popullin e tij nikoqir dhe mikpritës për të shijuar bukuritë që natyra i ofron njeriut.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme