Prodhimi i çelikut të papërpunuar në Turqi rritet me 2,6 për qind në prill

Prodhimi i çelikut të papërpunuar në Turqi u rrit me 2,6 për qind në prill, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke arritur në mbi 3 milionë tonë.

Prodhimi i çelikut të papërpunuar në Turqi rritet me 2,6 për qind në prill

Shoqata Botërore e Çelikut (WorldSteel), e cila përfaqëson 85 për qind të prodhimit global të metalit në fjalë, publikoi të hënën statistikat e prodhimit të çelikut për muajin prill.

Kështu, prodhimi global i çelikut të papërpunuar u rrit me 6,4 për qind në prill duke arritur në 156,7 milionë tonë; ndërsa në periudhën janar-prill u rrit me 4,8 për qind duke arritur në gati 600 milionë tonë.

Në muajin e katërt të vitit, prodhimi i çelikut të papërpunuar në Turqi u rrit me 2,6 për qind duke arritur në mbi 3 milionë tonë; kurse në periudhën 4-mujore janar-prill ai pësoi një rënie me 10,1 për qind duke u realizuar në 11 milionë e 233 mijë tonë.

Prodhimi i çelikut të papërpunuar në Kinë, prodhuesi më i madh botëror, u rrit me 12,7 për qind në prill duke arritur në 85 milionë tonë. Prodhimi 4-mujor i këtij vendi rezultoi gati 315 milionë tonë, një rritje me 10,1 për qind, duke tejkaluar gjysmën e prodhimit të çelikut të papërpunuar në botë.

Në prill, prodhimi i çelikut të papërpunuar në Japoni, ekonomia e tretë më e madhe në botë, ra me 0,8 për qind në 8,7 milionë tonë; ndërkohë që në Indi u rrit me 1,5 për qind në 8,8 milionë tonë.

Gjatë të njëjtit muaji, prodhimi ra me 8,7 për qind në 3,35 milionë tonë në Gjermani, prodhuesi më i madh i çelikut në Evropë; si dhe me 8,3 për qind në 5,60 milionë tonë në Rusi.

Prodhimi i çelikut të papërpunuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rrit me 7,3 për qind në 7,42 milionë tonë dhe në Brazil ra me 1,9 për qind në 2,88 milionë tonë në prill.



Lajme të ngjashme