Aeroporti i ri Stambollit, fillojnë fluturimet 10 shoqëri të tjera

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Xhahit Turhan (Cahit Turhan) tha se 10 shoqëri ajrore nga 9 vende të ndryshme kanë nisur të realizojnë fluturimet e tyre të para në Stamboll pas transferimit të fluturimeve në aeroportin e ri të Stambollit.

Aeroporti i ri Stambollit, fillojnë fluturimet 10 shoqëri të tjera

Të premten ministri Turhan përuroi hapjen e zyrës së shtypit të Shoqatës së Korrespodentëve të Aeroporteve (IHMD) në aeroportin e Stambollit.

Në fjalën që mbajti këtu ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Xhahit Turhan (Cahit Turhan) tha se aviacioni turk ka shënuar suksese të mëdha në fushën kombëtare dhe ndërkombëtare. Fluturimet e brendshme në vitin 2002 realizoheshin nga 2 qendra në 26 pikëmbërritje, kurse sot ato realizohen në 56 pikëmbërritje dhe nga 7 qendra.

Kurse në linjat e jashtme në vitin 2003 vetëm dy shoqëri ajrore realizonin fluturime në 60 pikëmbërritje në 50 vende, ndërsa në fund të 2018-s numri i fluturimeve të jashtme është rritur në 318 destinacione në 124 vende të botës, sqaroi Turhan dhe shtoi:

“Në dritën e këtyre zhvillimeve, rekord është thyer edhe në numrin e udhëtarëve, nga 34 milionë e 400 mijë që ka qenë në vitin 2003, numri është rritur në 210 milionë. Në tre vitet e fundit Turqia është rritur më shumë se trefishi i mesatares botërore në sektorin e transportit ajror ndërkombëtar. Numri i avionëve është rritur në 515, kurse kapaciteti i kolltukëve ka arritur në 97 mijë e 400. Xhiroja e sektorit të aviacionit civil në vitin 2018 është rritur në 110 miliardë lira turke (rreth 18,5 miliardë dollarë), ndërsa numri i personelit të punësuar në këtë sektor ka arritur në 205 mijë”.

“Me shpërnguljen e fluturimeve në aeroportin e Stambollit 10 shoqëri ajrore nga 9 vende kanë nisur për herë të parë të realizojnë fluturime për në Stamboll. Këto janë shoqëri ajrore nga Kina, India, Tunizia, Mali i Zi, Algjeria dhe Etiopia, të cilave ne u kemi dhënë orare fluturimi (slot)”,- nënvizoi ministri Turhan.

 


Lajme të ngjashme