Stamboll – Pikëmbërritjet ndërkombëtare nga Aeroporti “Sabiha Gokçen” arrijnë në 128

Aeroporti Ndërkombëtar “Sabiha Gokçen” i Stambollit (ISG) do të çojë në gjithsej 128 numrin e pikëmbërritjeve ndërkombëtare me 7 linja të reja që do të hapen këtë verë.

Stamboll – Pikëmbërritjet ndërkombëtare nga Aeroporti “Sabiha Gokçen” arrijnë në 128

Sipas një komunikate me shkrim nga ISG-ja, këtë verë rrjetit të fluturimeve do t’i shtohen edhe 7 pikëmbërritje të reja.

Kompania “Pegasus Airlines” do të fluturojë çdo ditë për në kryeqytetin Riad të Arabisë Saudite duke filluar që nga data 28 maj, 3 herë në javë për në qytetin Einhoven të Holandës duke nisur nga 29 maji, 5 herë në javë për në qytetin Mançester të Anglisë dhe 4 herë në javë për në qytetin Venecie të Italisë duke filluar nga 1 korriku, si dhe 4 herë në javë për në qytetin Kazablanka të Marokut duke nisur që nga data 8 korrik.

Ndërkaq, ISG-ja do të përdoret gjithashtu nga kompania omanase “Salam Air”, e cila do të fluturojë dy herë në javë nga Stambolli në Maskat dhe anasjelltas, si nga kompania marokene “Royal Air Maroc”, që do të realizojë çdo ditë linjën Stamboll-Kazablanka dhe anasjelltas.

Kështu, me shtimin e pikëmbërritjeve të reja ndërkombëtare nga Aeroporti Ndërkombëtar “Sabiha Gokçen” i Stambollit, numri i qyteteve të huaja ku mund të shkohet nga aeroporti i dytë i metropolit më të madh turk do të arrijë në 128, ndërsa numri i kompanive ajrore të huaja që fluturojnë nga ky aeroport do të arrijë në 49.

Nga ana tjetër, ISG-ja ka shënuar një rritje të konsiderueshme të pasagjerëve ndërkombëtarë gjatë periudhës janar-prill 2019.

Sipas së njëjtës komunikate, bëhet fjalë për një rritje me 20 për qind në krahasim me 4 muajt e parë të vitit të kaluar dhe një total prej 4 milionë 160 mijë pasagjerësh.

Po ashtu rritje me 24 për qind në krahasim me periudhën janar-prill 2018 ka shënuar edhe trafiku i ulje-ngritjeve të Aeroportit Ndërkombëtar “Sabiha Gokçen” të Stambollit, për një total prej 28 mijë e 989 operacionesh.



Lajme të ngjashme