Turizmi në Turqi – Sinopi

Sinopi, qytet në brigjet turke të Detit të Zi, ku bluja gërshetohet mrekullisht me të gjelbrën për të ofruar bukuri të jashtëzakonshme, është themeluar si një koloni tregtare në shekullin VII p.e.s.

Turizmi në Turqi – Sinopi

Turizmi në Turqi – Sinopi

Në pjesën e sotme do t’ju prezantojmë Sinopin, një qytet në brigjet turke të Detit të Zi, ku bluja gërshetohet mrekullisht me të gjelbrën për të ofruar bukuri të jashtëzakonshme.

Qyteti i Sinopit është themeluar si një koloni tregtare në shekullin VII p.e.s. Një pjesë e historianëve janë të mendimit se emri i tij vjen nga Sinope, vashë uji dhe bijë e perëndisë së lumenjve, Asopi, sipas mitologjisë greke. Ndërsa disa historianë të tjerë thonë se emri i qytetit e ka origjinën te perëndia asiriane e hënës, Sin.

Sidoqoftë, mbetjet arkeologjike tregojnë se Sinopi dhe rrethinat e tij janë një vendbanim me popullsi të dendur që në periudhat e hershme të historisë. Pozita gjeografike dhe fakti që është një port natyror që nuk rrihet nga erërat e Detit të Zi, kanë bërë që ai të preferohet si vendbanim. Gjatë sundimit të Lekës së Madh të Maqedonisë qyteti ka jetuar periudhën më të ndritur të tij; shkencës e kulturës i është kushtuar rëndësi dhe studiuesit e filozofët janë marrë në mbrojtje. Pastaj ai hyri nën sovranitetin romak dhe bizantin. Ndërsa andej nga fundi i shekullit XI u bë pjesë e territoreve turke.

Sinopi i mirëpret vizitorët me bukuri natyrore dhe vepra historike unike. Më e rëndësishmja prej tyre është Gjiri Hamsilos, i cili ndodhet në pikën më veriore të Turqisë. Në aspektin e tipareve të formacionit gjeografik, gjiri në fjalë – ku në të kaluar fshiheshin anijet luftarake, ndërsa sot shërben si vendstrehim i peshkatarëve në mot me stuhi – ka vetëm një të ngjashëm në Norvegji.

Plazhet e quajtura Sarikum dhe Karakum, të cilat e marrin emrin nga ngjyra e rërës së tyre – i pari me ngjyrë të verdhë dhe i dytë me gri të errët – si edhe plazhi Akliman, ofrojnë bukuri të ndërthurura me aromën dhe gjelbërimin e pyjeve për të pasionuarit e turizmit bregdetar.

Nëse ju pëlqejnë ecjet në natyrë, Ujëvara Erfelek, e cila realisht formohet nga 28 ujëvara me përmasa të ndryshme, ofron një shteg përrallor me mullinj uji, ku mund të soditni nga afër edhe jetën e egër. Kur të përfundoni ngjitjen e ujëvarës së organizuar me 28 shkallë, në majë ju pret të një kafe turke sa e shijshme aq edhe çlodhëse.

Kalaja e Sinopit, ndërtimi i së cilës ka nisur në shekullin VII p.e.s., por edhe Kështjella e Bojabatit, ku gjendet edhe një labirint tunelesh të nëndheshme, ju japin një ide të përgjithshme mbi historinë e krahinës.

I pozicionuar në pikën më veriore të Turqisë, fanari Inceburun me kullën e tij të bardhë elegante jo vetëm që u tregon rrugën anijeve, por shërben edhe si një ballkon për të kundruar panoramën e pashoqe të Detit të Zi që prej shekullit XIX.

Shkëmbinjtë e bazaltit në Bojabat janë një nga vendet më të vizituara nga turistë të shumtë vendas dhe të huaj. Kjo zonë me karakteristika unike është shpallur monument natyror.

Një nga objektet më të rëndësishme historike të qytetit është edhe Burgu i Sinopit, i cili është ndërtuar si kështjellë qindra vjet më parë. Në periudhat e mëvonshme ndërtesa u modifikua, riparua dhe u zgjerua me pjesë e shtesa të reja. E formuar nga fortesa e brendshme, muret e gjera rrethuese dhe bastionet e mëdha, kjo ndërtesë është përdorur fillimisht si kantier detar dhe më vonë si një burg. Sot ajo mirëpret vizitorët si muze.

Të tjera vende që ju këshillojmë me ngulm të vizitoni në Sinop janë liqeni Akgol, shpella Inalti dhe Muzeu Arkeologjik.

Vlen të theksojmë se Sinopi është njëherësh vendlindja e Diogjenit, filozof i famshëm i antikitetit, i cili ishte aq cinik sa kur Leka i Madh e pyeti nëse kishte ndonjë dëshirë prej tij, ai kishte guximin t’i thoshte: “Zhvendosuni, hija juaj më pengon të marr diell.”

Sipas hulumtimeve të realizuara nga Instituti i Statistikave të Turqisë, Sinopi është “qyteti më i lumtur” i vendit gjatë 3 viteve të fundit.

Nëse edhe juve ju shtyn kureshtja të dëshmoni vetë arsyet e lumturisë së banorëve të këtij qyteti, si dhe të shijoni bukuritë natyrore e historike të qytetit të lumtur, Sinopi ju pret...

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme