Erdogan: Turqisë s’mund t’i japin leksione drejtësie ata që strehojnë kriminelët puçistë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të shtunën në mbrëmje se ata që strehojnë kriminelët puçistë, nuk mund t’i japin Turqisë leksione drejtësie.

1199665
Erdogan: Turqisë s’mund t’i japin leksione drejtësie ata që strehojnë kriminelët puçistë

Erdogani mbajti një fjalim në Iftarin 39. Tradicional të Fondacionit Bashkimi, organizuar në selinë e tij në Stamboll.

Ai theksoi se Izraeli vazhdon të bombardojë Gazën, të cilën e ka transformuar në një burg të hapur përmes bllokadës dhe embargos.

“Regjimi gjakatar sirian nuk e konsideron aspak të rrezikshme goditjen me bomba fuçi të civilëve, spitaleve dhe shkollave në Idlib gjatë këtyre ditëve të ramazanit. Në Jemen, qindra-mijëra fëmijë po vuajnë nën kthetrat e urisë dhe varfërisë si viktima të një lufte të pistë. Në Libi, vetëm e vetëm për të pasur kontrollin e puseve të naftës, po lejohen egërsitë e një vrasësi me pagesë. Në të katër anët e hapësirës gjeografike që kemi për zemër, nga Arakani në Somali dhe nga Afganistani në Irak, për fat të keq, këtë ramazan po ngrihen sërish shtëllunga tymi dhe piskama vajtimi”, tha presidenti turk.

Sipas tij, tiranët bëhen pak më të shkujdesur gjithmonë në muajin e shenjtë të ramazanit.

“Qeveria izraelite, e inkurajuar nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar, ka arritur deri në bombardimin e institucioneve mediatike, organizatave humanitare dhe Agjencisë sonë të lajmeve Anadolli (AA). Sepse kështu mendojnë se do të pengojnë informimin e opinionit publik rreth politikave të tyre të gjenocidit mbi popullin e Gazës. Sepse nuk duan që bota të informohet mbi të gjitha ato pisllëqe që bëjnë dhe kushdo që i përhap këto informacione është armik i tyre”, u shpreh Erdogani.

“Por edhe nëse ata nuk duan, organizatat tona të ndihmave humanitare vazhdojnë të mbështesin nevojtarët duke marrë parasysh çdo rrezik. Teksa ne merremi me këto, institucionet që lëshojnë breshëri kritikash ndaj vendit tonë për lirinë e shtypit, nuk nxjerrin qoftë edhe një fjalë reaguese të vetme. Ata që ngrenë botën në këmbë menjëherë kur bëhet fjalë për Turqinë, vazhdojnë të luajnë rolin e tre majmunëve edhe pse ka kaluar tashmë një javë nga sulmet në Gazë”, theksoi ai.

Kreu i shtetit turk vuri në pah gjithashtu se ata që s’lëshojnë nga goja drejtësinë dhe lirinë, as nuk pipëtijnë në lidhje me trekëmbëshat e ngritur nga gjykatat puçiste në Egjipt.

“Përkundrazi, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian i përgjigjen ftesës së Abdel Fattah el-Sisit, i cili erdhi në krye të Egjiptit me grusht ushtarak. Ato janë në gjendje të ulen me të rreth një tavoline dhe të bisedojnë për të ardhmen”, shtoi Erdogani.

Ky qëndrim hipokrit – vijoi ai – në një farë mënyre është demaskuar vetë në një sërë ngjarjesh duke filluar nga vrasja brutale e gazetarit saudit Jamal Khashoggi e deri te sulmi terrorist i urryer në Zelandën e Re.

Presidenti Erdogan nënvizoi se shtetet perëndimore nuk e kanë kaluar testin e sinqeritetit për të bërë një zgjedhje midis interesave të tyre dhe vlerave themelore të njeriut, pasi ato gjithnjë i kanë investuar preferencat e tyre ose te dollari, ose te nafta.



Lajme të ngjashme