Paria shtetërore dënoi ashpër sulmin ndaj zyrave të AA-së në Rripin e Gazës

Ushtria izraelite bombardoi të shtunën në mbrëmje ndërtesën, ku gjenden edhe zyrat e agjencisë turke të lajmeve AA (Anadolu Agency) në Rripin e Gazës.

Paria shtetërore dënoi ashpër sulmin ndaj zyrave të AA-së në Rripin e Gazës

Ushtria izraelite bombardoi të shtunën në mbrëmje ndërtesën, ku gjenden edhe zyrat e agjencisë turke të lajmeve AA (Anadolu Agency) në Rripin e Gazës.

Ndërkohë që nga sulmi godina u shemb plotësisht në mesin e punonjësve të agjencisë nuk pati të vrarë dhe të plagosur.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), i cili dënoi fuqimisht sulmin e kryer nga ushtria izraelite ndaj godinës ku ndodheshin zyrat e agjencisë së lajmeve Anadolli në Rripin e Gazës nën bllokadë, i telefonoi drejtorit të përgjithshëm të AA-së, Shenoll Kazanxhë (Şenol Kazancı) dhe i uroi të shkuara.

“Pavarësisht të gjitha këtyre sulmeve Turqia dhe AA do të vazhdojë të ngrijë zërin para botës për terrorin dhe tiraninë izraelite në Gazë dhe territoret e tjera palestineze", deklaroi Erdoan.

Ndërkaq në komunikatën me shkrim të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë i bëhet thirrje shoqërisë ndërkombëtare për t’u vënë në veprim ndaj sulmeve të Izraelit.

“Ne dënojmë me forcë sulmet e Izraeli në Gazë, të cilat po vazhdojnë që nga dje, duke vrarë ose plagosur shumë persona të pafajshëm dhe gjithashtu duke synuar zyrën e agjencisë Anadolli. Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë veprime të shpejta për të zvogëluar tensionin në rajon, i cili është përshkallëzuar për shkak të akteve joproporcionale të Izraelit”, u tha në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Shentop (Şentop) dënoi ashpër sulmin në fjalë.

“Me sulmin ndaj godinës, ku ndodheshin zyrat e agjencisë së lajmeve Anadolli, Izraeli ka shtuar një të re në veprimet e saj që injorojnë të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat humanitare”, shkruan Kryeparlamentari Shentop në reagimin e tij.

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (Kalın) në reagimin e bërë nëpërmjet llogarisë së tij në median sociale bëri të ditur se Izraeli e tregoi një shembull të ri të agresionit të tij, ndërsa tha se “Është e qartë që Izraeli bën përpjekje për t’i mbuluar krimet e reja”.

Ndërsa kreu i Departamentit të Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun në lidhje me sulmin u bëri thirrje vendeve perëndimore të vihen në veprim.

“U bëjmë thirrje vendeve perëndimore, të cilat pretendojnë ndjeshmërinë ndaj lirisë së shtypit, të dënojnë qeverinë e Izraelit”, deklaroi Altun.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) bëri të ditur se sulmi në fjalë paraqet krim kundër njerëzimit.

“Përgjegjës për këtë sulm po aq sa Izraeli janë edhe ata të cilët e inkurajojnë atë. Ne do të mbrojmë deri në fund kauzën palestineze”, bëri të ditur Çavushollu.

Në anën tjetër sulmin në fjalë e dënuan edhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, ministri i Punëve të Brendshme, Sylejman Sojllu (Süleyman Soylu), ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gyl (Gül), ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koxha (Koca), ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekxhan (Pekcan), ministri i Arsimit Kombëtar, Zija (Ziya) Selçuk, ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoj (Ersoy), ministrja e Familjes, Punës dhe Çështjeve Sociale, Zehra Zymryt (Zümrüt) Selçuk dhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Ëmer (Ömer) Çelik, ndërsa agjencisë së lajmeve Anadolli (AA) i uruan të shkuara.

Edhe drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik të Turqisë (TRT), Ibrahim Eren në mesazhin e postuar në llogarinë e tij në Twitter tha se “Dënojë fuqimisht sulmin me raketa të zyrave të AA-së në Gazë, të kryer nga Izraeli, i cili vazhdon të kryej krime kundër njerëzimit”.

 


Lajme të ngjashme