Turizmi në Turqi – Pergami

I quajtur Pergamon në burimet antike, ai u shpall kryeqytet i dinastisë atalide në vitet 200 p.e.s. duke u bërë një qendër e rëndësishme në aspektin kulturor, shkencor dhe politik.

Turizmi në Turqi – Pergami

Turizmi në Turqi – Pergami

Zonat perëndimore të Turqisë, sidomos ato në brigjet e Egjeut, janë mjaft të pasura në aspektin arkeologjik. Një prej zonave arkeologjike në fjalë është edhe Siti Kulturor Shumështresësh i Pergamit. Rreth 100 km larg Izmirit, ky sit bart vendbanime të vazhdueshme të shumë kulturave në periudha të ndryshme të historisë dhe një panoramë urbanistike antike të zgjedhur, e cila demonstron faza të rëndësishme të zhvillimit human.

Pergami (Bergama), një prej qendrave artistike dhe kulturore më madhështore të qytetërimeve, është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2014.

Siti Kulturor Shumështresësh i Pergamit ka në vetvete shtresa të periudhave helenistike, romake, bizantine dhe osmane. Vendosja e njëpasnjëshme e të gjitha këtyre kulturave të ndryshme i ka dhuruar Pergamit një formë urbanistike unike dhe pasqyrimin e një arkitekture monumentale.

Kjo hapësirë formohet nga 9 komponentë në total: Pergami, Shenjtërorja e Kibelës, si dhe nga kodërvarret Ilyas Tepe, Yigma Tepe, Ikili, Tavsan Tepe, X Tepe, A Tepe dhe Maltepe.

I quajtur Pergamon në burimet antike, ai u shpall kryeqytet i dinastisë atalide në vitet 200 p.e.s. duke u bërë një qendër e rëndësishme në aspektin kulturor, shkencor dhe politik. Krahas teatrit, sarajit dhe tempullit, objekte me peshë madhore në shoqërinë antike, në qytet qe ndërtuar edhe një bibliotekë kolosale për atë periudhë.

Pas fillimit të sundimit romak në vitin 133 p.e.s., në këtë qytet antik qe ngritur edhe Tempulli i Asklepit apo Asklepioni, i cili konsiderohet edhe si një prej qendrave shëndetësore më të rëndësishme të asaj kohe.

Rëndësia e tij nisi të zbehet dalëngadalë në periudhën bizantine. Ndryshimi i rrugëve tregtare bëri që Pergami të transformohet në një qytezë me përmasa mesatare.

Qyteti antik hyri nën sovranitetin e Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të 14-të. Gjatë atyre viteve Pergami u zgjerua dhe pësoi një ndryshim kulturor të ri. U ndërtuan hamame, ura, hane, tregje të hapura dhe të mbuluara që pasqyronin kulturën osmane.

Gërmimet e para arkeologjike në këtë qytet antik filluan në vitet 1870 dhe sot ai është zbuluar thuajse tërësisht. Një pjesë e inventarit të gjetjeve nga këto gërmime ekspozohen në Muzeun e Pergamit, i pari arkeologjik në Turqi.

Akropoli i Pergamit, ku banonin familja mbretërore, drejtuesit dhe komandantët, ka veçori të jashtëzakonshme arkitekturore. Struktura më e rëndësishme në akropol është Tempulli i Athinasë, por që, për fat të keq, sot i kanë mbetur vetëm themelet; pasi origjinali ruhet dhe ekspozohet në Muzeun e Pergamit në Berlin. Një tjetër objekt i rëndësishëm është edhe Altari i Zeusit, i cili gjithashtu ekspozohet në Berlin.

Tempulli i Agorasë, Tempulli i Dionisit dhe biblioteka që në periudhën e saj më të ndritur kishte rreth 200 mijë libra, janë objekte të tjera të rëndësishme në akropolin e Pergamit. Librat e kësaj biblioteke mendohet t’i jenë paraqitur Mbretëreshës Kleopatra të Egjiptit si një dhuratë martese nga Mark Antoni, një prej politikanëve dhe gjeneralëve më të shquar romakë.

Objektet më të rëndësishme pas tempujve në qytetërimet e lashta greke dhe romake janë teatrot. Teatri i Pergamit është ndërtuar mbi një kodër të pjerrët dhe njihet si teatri me pjerrësinë më fortë në botë. Kapaciteti i tij është rreth 10 mijë spektatorë.

Në pjesën që njihet si Qytet i Poshtëm, ndodhen agoraja, shkolla e skulpturës, banesat dhe Tempulli i Serapit. Ky objekt kulti, i cili u transformua në kishë menjëherë pasi krishterimi u pranua si fe zyrtare në Perandorinë Romake, është i vetmi i lokalizuar në mesin e 7 kishave që përmenden në Bibël.

Tempulli i Demetrës dhe Gjimnazi i ndërtuar për gara sportive janë po ashtu struktura të tjera të rëndësishme të qytetit.

Ky qytet i zhvilluar i antikitetik ka edhe një qendër shëndetësore. Asklepioni, qendër e lashtë mjekësore e ndërtuar në emër të Asklepit, perëndi e shëndetit dhe mjekësisë, njihet edhe si spitali i parë psikiatrik në botë. Në këtë qendër shëndetësore janë bërë hulumtime në fushën e mjekësisë dhe janë aplikuar metoda kurimi nga më të ndryshmet.

Rekomandimi ynë për ata që duan të vizitojnë Pergamin për të parë këtë qytet antik të rëndësishëm të Anadollit, është: Mos bëni gabim të ktheheni pa u zhytur në llixhat kuruese të zonës dhe pa provuar dy shije tradicionale si djathi i kacekut dhe ëmbëlsira e llokmës!

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme